Banka e Italisë bëri të ditur se masat për të përmbajtur koronavirusin mund të kenë ndikim të madh tek ekonomia italiane.  Italia ka borxhin kombëtar të tretë më të madh në botë, në mbi 130% të PBB dhe performanca ekonomike është e rëndësishme për qëndrueshmërinë e borxhit.

Banka Qendrore po përpiqet të vlerësojë ndikimin e epidemisë tek ekonomia e brendshme, por ka hasur vështirësi për shkak të pasigurisë në lidhje me kohëzgjatjen e virusit, sipas guvernatorit, Ignazio Visco.  “Ndikimi mund të jetë i përkohshëm dhe i limituar për ekonominë europiane dhe atë italiane. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet një ndikim i madh”, tha ai.

Visco tha se prezenca kineze në ekonominë botërore është tashmë shumë më e madhe se sa në periudhën e SARS në vitin 2003 dhe kontributi i vendit tek produkti i brendshëm bruto botëror është katërfishuar që prej atëherë.  Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin një emergjencë ndërkombëtare, duke shkaktuar kontrolle të ashpra në kufij për të parandaluar epideminë.   Kufizimet tek udhëtimi dhe tregtia pritet të sjellin një ngadalësim të ekonomisë kineze dhe aktivitetit ekonomik botëror në tremujorin e parë.  Ekonomia italiane u tkurr papritur me 0.3% në tremujorin e katërt.