Nënkryetari i Parlamentit, njëherësh deputeti i PD-së, Edi Paloka që i hodhi bojë kryeministrit Edi Rama gjatë seancës parlamentare tha se ai e kishte menduar mirë këtë veprim dhe e quajti të drejtë.

“Nuk fyhem nga Rama. Ai bën arrogantin, i vjedh shqiptarët, i fyen edhe i tall. Po, jam thuthuq, kështu jam. Nuk është krim të jesh thuthuq, por ky zotëria kur nuk ka më argumente me këtë mënyrë do të vazhdojë. Veprimin e mendova mirë. Garda e tij po heton për lëndë kimike, por ka qenë bojë. E mendova mirë. Më ndihmoi Zoti që ia hodha në gojë. Ai i fyen të gjithë.

A është etike? Është shumë më etik ky akt, se sa ajo që thotë ai kryeministër gojëqelbur dhe i shthurur. Kryesorja është reagimi. Ne nuk jemi skllevër. Doja tu tregoja shqiptarëve se ndaj arrogancës së një kryeministri duhet reaguar. Po ulëm kokën, do të na shkelë me këmbë ai. Ai edhe sot shau. Nuk pranoj që një palaço si ai të tallet me opozitën dhe qytetarët”, – tha Paloka në emisionin “Opinion”.

MEMET më pikante pas sulmit me bojë ndaj Ramës (FOTO)
Në lidhje me protestën e 16 shkurtit, Paloka tha: “Qytetarët na kanë kërkuar ta organizojmë. Leje nga policia? Nuk marrim leje për të hequr Ramën. Nuk na ndalon njeri të protestojmë. Nuk na ndal as Leshi dhe as Lleshi.

Politika këtu ka mbaruar. Politikë bëhet në një vend normal, këtu nuk funksionon asgjë nga këto. Zgjedhjet janë blerë, 20% e votave janë blerë. Tani qytetarët kanë të drejtë që të bëjnë çdo gjë. Çdo gjë që kanë në dorë, duhet ta bëjnë në të tillë situatë. Nëse do të ketë sherre dhe vjedhje, a do të ndikojë në marrjen e statusit? Cilin status, atë që e morëm. Këtu ka pasur veç skandale.

Me ndërrimin e kukullave në karrige nuk ndryshon gjë. Fajtori është një, ai ka sjellë katrahurë. Përse hodha bojë kur ishte i ftuar Talat Xhaferi në parlament? Atë e kam mik personal, por nuk mund të pranonim ne të përdorej seanca që këtu është gjithçka normale. Rama provokoi atë që ndodhi. Nuk do t’ia bëja nëse ai nuk do dilte në formën e tij të zakonshme. E bëri, mori atë që meritonte. Duan të më shkarkojnë nga nënkryetar i parlamentit? As më…mos të them ndonjë llaf tani. Nuk e kam problem fare këtë gjë”, – tha Paloka.