Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur blerjen e energjisë elektrike. Për muajin tetor, janë hapur 2 procedura, nga të cilat njëra është përfunduar, ndërsa kërkesa tjetër është hapur në datën 16 tetor, përmes së cilës OSHEE kërkon të blejë 106.480 MWh energji.

Përfaqësues të këtij dikasteri thanë për TV SCAN se blerja bëhet për plotësimin e nevojave të tregut për furnizimin me energji elektrike, çka normalisht me afrimin e stinës së dimrit pëson rritje. Ndërkaq, në procedurën e parë, Operatori i Shpërndarjes shpenzoi 9.32 milion euro për blerjen e 112 mijë MWh.

Pas 4 raundesh të optimizimit të portofolit ekonomik te OSHEE, 67,200 MWh energji u blenë me një çmim mesatar prej 77. 45 euro/MWh, ndërkohë që pjesa tjetër u ble me një çmim mesatar prej 91.99 euro/MWh.

Megjithatë, pavarësisht shpenzimeve për blerje energjie situata e këtij viti pritet të jetë më e favorshme në krahasim me vitin e kaluar për shkak të situatës hidrike që po kalon vendi. Instituti i Statistikave raportoi se për 6-mujorin se prodhimi i lartë i energjisë elektrike e ka shtyrë rritjen ekonomike për të dytin tremujor radhazi sipër nivelit të 4%.

Sipas INSTAT, dega e energjisë elektrike për tremujorin e dytë u rrit me afro 67.5% me bazë vjetore, duke qenë kontribuuesi kryesor i rritjes ekonomike. Ndërkohë që, vitin e kaluar, si pasojë e thatësirës së tej zgjatur, nga OSHEE u shpenzuan mbi 200 milion euro për blerje energjie.