meta-rama-1024x661_0

Në intervistën e dhënë në “Channel 1” ish-kreu i LSI-së Ilir Meta u është përgjigjur akuzave të kryeministrit Rama se LSI-ja është një forcë që e do pushtetin metëm për interesa personale.

“E para, një herë ai përfaqëson një ish-parti të madhe dhe për këtë duhet të jetë i sigurt dhe përgjigjen do ta marrë më 25 qershor dhe Rilindja e tij nuk ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste. Është kujtuar shumë vonë për socialistët.

Mbasi u ktheu kurrizin dhe promovoi dhe favorizoi, që nga vendet në qeveri, edhe në kundërshtim me këshillën time kur u krijua qeveria në vitin 2013, ku i kam thënë të ruajë balancat midis figurave politike dhe figurave të reja që kërkonte t’i promovonte.

Mbasi u ktheu kurrizin socialistëve për katër vjet, tani po përpiqet t’i rikthejë te kutitë e votimit, duke i manipuluar sikur ua ka fajin LSI-ja atyre që kanë qenë të injoruar, kur në fakt të gjithë e dinë që ky e ka natyrën e vet që gjithmonë përbetohet e stërbetohet për dashuri ndaj popullit të tij për të arritur një interes të caktuar dhe përsëri ka të njëjtin problem, i cili ka të bëjë me mosmirënjohjen që ai e ka një sëmundje të pashërueshme. Kështu që socialistët nuk e besojnë dot më atë dhe natyrisht që më 25 qershor nuk do të votojnë për Rilindjen.

Kjo është një deklaratë shumë e fortë z. Meta….

Kjo është një deklaratë shumë e vërtetë dhe ne duhet të kemi përgjegjësinë në një moment të tillë të rëndësishëm për vendin të mos lejojmë asnjë aventurier të rrezikojë të ardhmen e Shqipërisë.

…Mendoj që kjo është një shpikje e rëndomtë nga këto inskenimet e zakonshme.

Ai thjesht kërkon që të justifikohet para socialistëve, ndjen distancën e thellë që ka krijuar me ata për shkak të arrogancës, mosmirënjohjes dhe së dyti është ky vetë që nuk ka treguar asnjë lloj respekti dhe asnjë lloj konsiderate për të gjitha ato gra të shquara të PS-së, natyrisht edhe burra. Po të shikosh listën e fundit, gratë më të shquara të PS-së në vite u zhdukën nga lista.

E ke fjalën për Arta Daden?

Nuk dua të hyj në emra të përveçëm, por janë disa gra dhe shumë personalitete u zëvendësuan më ato që u zëvendësuan. Pra, ai nuk ka hallin e grave të PS-së. ai ka vetëm një hall të bindë ata socialistë që janë larguar për shkak të arrogancës dhe mosmirënjohjes së tij dhe të gjithë oborrit të tij të Rilindjes që vjen në mënyrë vertikale duke u thënë që nuk e ka ai fajin, por fajin e ka Meta, LSI e kështu me radhë. Gjithmonë në kërkim të alibive të reja.

“Të gjitha partitë e vogla këtë punë kanë bërë dhe këtë punë duan të bëjnë. Duan një, dy, tre vota, 5 kartonë që të vijnë e të bëjnë pazar për të punësuar njerëz të partisë. Unë kam qenë deri në fund për koalicionet. LSI-ja ka qenë e ngurtë për këtë në raport me këtë nevojë. Pastaj ka krijuar një formulë që ishte gjysma e parë për koalicionin dhe gjysma e dytë për çadrën”. Po citoj z. Rama…

Mendoj se të gjitha këto janë përralla, janë barcaleta. LSI-ja absolutisht gjithmonë qëllimet i ka patur të hapura.

Së dyti, ai e ka ftuar LSI duke i thënë hajde me mua se ne i bëjmë 71 vota edhe pa ty, sepse ne kemi PDIU-në. Gjithmonë edhe raportet brenda koalicionit i ka parë në mënyrë diversioni. Afron PDIU me qëllim që ta shikojë si një mjet presioni ndaj LSI-së. Pastaj përpiqet të afrohet me LSI, duke i thënë PDIU-së se nuk ju do juve LSI-ja. E ka në natyrën e vet diversionin, paqëndrueshmërinë dhe pabesinë.

Kështu që nuk habitem fare nga të gjitha këto deklarata të z. Rama. Besoj se kapitulli i tij është i mbyllur. Ai ka frikë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, prandaj nuk e donte opozitën në zgjedhje. Ai kishte frikë nga Ben Blushi për të konkurruar në parti dhe bëri një referendum. Nxori gjithë socialistët në mënyrë që të mos bënte zgjedhje. Këto janë problemet e tij, ne nuk kemi se çfarë t’i bëjmë, nuk e shërojmë dot nga kjo fobi që ka nga zgjedhjet e lira, nga demokracia. Shqipëria nuk kthehet 27 vjet mbrapa. Ajo histori ka perënduar një herë e përgjithmonë.

“Unë dua një timon. Nuk duam të mbajmë në prehër të tjerët sepse kështu nuk arrimë dot në destinacion”. Për ju e ka?

Unë jam i bindur që më 26 qershor LRI-ja e Tiranës do t’i çojë dhe një timon dhe një tepsi në Surrel t’i mbajë për të gjithë jetën atje. Siç mori Valesa, kur humbi zgjedhjet në Poloni, karrigen nga zyra.

Do ta marrë edhe Rama?

Do t’ia çojnë Ramës në Surrel. LRI-ja do t’i çojë edhe një timon edhe një tepsi.

Nuk ka patentë makine Kryeministri?

Nuk e di a ka apo jo patentë, por unë nuk do të hipja kurrë në një makinë me të.

A keni hipur ndonjëherë?

Jo, nuk kam hipur.

Po ai te makina juaj?

Jo, jo, nuk e kam bërë asnjëherë shoferin e tij unë dhe nuk kam ndërmend ta bëj.

Gjyshi i tij ka qenë shofer i mbretit.

Shumë mirë!