index

Një ditë pas pajtimit në Kuvend, politika ka përcjellë vetëm mesazhe urimi për Krishtlindje, duke mënjanuar çdo deklaratë tjetër.

Urimi për më shumë begati, e dashuri, kanë bashkuar Presidentin e Republikës Bujar Nishani, kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha.

Kreu i Shtetit, fillimisht përcolli urime në Katedralen ortodokse “Ringjallja e Krishtit”dhe më pas në Katedralen e Shën Palit në Tiranë ku shprehu dëshirën e tij që vitin që vjen, të kemi një kardinal shqiptar.

“Gëzuar Krishtlindjet! Viti që vjen të jetë i mbarë dhe i bardhë për të gjithë shqiptarët dhe do të bëj një lutje dhe besoj se bashkohen në këtë lutje timen të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë që edhe ne shqiparët së shpejti të kemi një Kardinal shqiptar”.

Edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, përcolli urimet e tij për besimtarët e krishterë dhe gjithë popullin shqiptar.

“Do uroja të gjithë besimtarët e krishterë, por dhe gjithë popullit shqiptar një mbarësi për të gjithë, shumë urime, shumë bekime dhe gëzime në familjet e tyre dhe në gjithë shoqërinë tonë”.

Kryedemokarti,Lulzim Basha, përcolli urimet e tij nga qyteti i Shkodrës.

“Nga Zonja Shkodër duan t’i uroj të gjithë besimtarët e krishterë dhe gjithë besimtarët e Zotit, të gjithë shqiptarët Gëzuar Krishtlindjen, festën e shpresës, dashurisë dhe besimit.

I vetëdijshëm se kjo festë e madhe i gjen shumë shqiptarë dhe familjet e tyre ndonëse në ditë feste jo në kushte feste, uroj nga zemra që shpresa që buron nga simbolika e sotme të na frymëzojë dhe të na bëjë optimist për një të nesërme më të mirë”.

Kryeministri Edi Rama uroi shqiptarët “Gëzuar Krishtlindjen” përmes kësaj fotoje të publikuar në rrjetet sociale.