Nëse Kuvendi arrin të miratojë ligjin e ri që synon të zgjidhën problematikën e pronësisë në terësi, sa i përket çështjes së tokave bujqësore, vitin e ardhshëm parashikohet të nisë një proces që fut në sitë aktet e marrjes së tokës në pronësi. Një ndër ngërçet e mëdha të krijuara është edhe ai i rasteve ku sipërfaqja që përfituesi ka në posedim është më e madhe se sipërfaqja që ka të shënuar në dokumentacion.

Zgjidhja e menduar në këtë rast është ajo që parashikon të drejtën e subjektit posedues që të blejë një sipërfaqe mesatare që llogaritet rreth 500 metra nga sipërfaqja shtesë që ka në posedim, sipas çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së pronës.

Nëse poseduesi nuk e kërkon, e refuzon apo nuk shlyen vlerën, atëhere projektligji i ri parashikon se sipërfaqja shtetërore shtesë kalon për llogari të fondit të tokës bujqësore në administrim të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe jepet me qira nga kjo e fundit.

“Përjashtimisht, kur sipërfaqja shtetërore shtesë është pronë shërbyese, poseduesi, në çdo rast, është i detyruar të shlyejë vlerën e saj. Në të kundërt, regjistrohet hipoteka ligjore mbi të dhe mbi pasurinë kryesore” përcaktohet në projektligj.

E për rastet kur sipërfaqja që ekziston efektivisht në terren është më e vogël se ajo e përcaktuar në AMTP, atëhere Agjencia Shtetërore e Kadastrës procedon me regjistrimin e titullit për sipërfaqen që posedohet efektivisht në terren.

Kjo lëvizje parashikohet të ketë impaktin më të madh financiar në ligjin e ri për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Llogariten që të paktën 200 mijë përfitues kanë më shumë tokë sesa parashikohet në akt. E në këtë rast, efekti financiar i parashikuar nga blerja e sipërfaqes nga poseduesit arrin vlerën 19 miliardë e 100 milionë lekë.