KQZ-e-re

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sot se çfarë do të bëjë me 21 politikanë të nivelit të lartë, 8 kryebashkiakë dhe 13 deputetë, të cilët kanë dorëzuar një formular të dytë për dekriminalizimin, duke korrigjuar formularin e parë.

Në një relacion përgatitur për mbledhjen e sotme nga administrata e KQZ-së që mban datën 21 mars 2017, saktësohen të gjitha informacionet të cilat deputetët dhe kryebashkiakët nuk i kanë deklaruar ose që i kanë korrigjuar në fazën e dytë.

Tabela shoqëruese saktëson se si deputetë e kryebashkiakë, mes tyre dhe Sali Berisha, kanë fshehur dënime të formës së prerë ose kanë korrigjuar të dhënat personale, si emrin apo datëlindja.

Funksionarët e mëposhtëm nuk kanë deklaruar në Formular ndryshime në gjeneralitete të bëra me vendim të organeve të njësive vendore.

Nga shqyrtimi i informacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile rezulton: Deputeti Ylli Shehu, ish i PR, kaluar me LSI, nuk ka deklaruar në Formular ndryshime në gjeneralitete.

Sipas Shkresës së DPGJC ka pasur ndryshime zyrtarisht në emër dhe mbiemër, datëlindja e deklaruar në formular, nuk përputhet me datëlindjen zyrtare, sipas DPGJC. Deputeti Spartak Braho LSI, nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit nga “Zylyftar” në “Spartak”.

Deputeti Eduard Halimi PD, nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit nga “Eduart” në “Eduard” dhe mbiemrin nga “Halim” në “Halimi”. Deputeti Myqerem Tafaj PD, nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit nga “Miqerem” në “Myqerem”.

Deputeti Vangjel Dule PBDNJ, nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit të babit nga “Jorgo” në “Jorgji” dhe emrin e nënës nga “Garufo” në “Jorgjia”.

Deputeti Gjovalin Bzheta PD, nuk ka deklaruar ndryshimin e emrit nga “Gjon” në “Gjovalin””, – thuhet ndër të tjera në relacionin e KQZ-së i cili pritet të vendosë sot se si do të veprojë me këta zyrtarë të lartë.