qw

Gjatë takimit që Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Paris me homologun francez Berndard Cazeneuve, u nënshkruan një sërë marrëveshjesh të cilat ngrenë kuadrin e bashkëpunimit dypalësh Shqipëri-Francë në nivel strategjik.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, gjatë vizitës palët patën mundësinë të konfirmojnë marrëdhënien e veçantë mes Shqipërisë dhe Francës si dhe rëndësinë e bashkëveprimit afatgjatë midis dy vendeve në fushën e sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe sigurisë, në rrafshin dypalësh, rajonal dhe më gjerë.

Rama shprehu falenderimet e qeverisë shqiptare për mbështetjen e Francës në procesin e integrimit evropian të vendit tonë si dhe për vëmendjen e shtuar dhe dedikimin e Francës në mbarëvajtjen e proceseve dhe projekteve rajonale.

Bashkëbiseduesit veçuan rëndësinë e madhe të zbatimit të reformës në drejtësi si një reformë të nevojshme për të rritur besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, si dhe impaktin e saj në fushën e sigurisë dhe në përforcimin e sundimit të së drejtës në ekonomi. Pala franceze nënvizoi gjithashtu rolin e posaçëm të Shqipërisë në stabilitetin demokratik të rajonit.

Në përfundim të takimit, në praninë e dy Kryeministrave, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrat francezë Fekl, Desir dhe Todeschini, nënshkruan deklaratën e partneritetit strategjik midis dy vendeve si dhe marrëveshjet për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe atë të sigurisë.