Sa më shumë kalon koha aq më shumë bnëhet e komplikuar. Paolo Maldini ka qenë i qartë kur foli për tratativën për të sjellë në Milano Zlatan Ibrahimovic gjatë dritares së merkatos së dimrit. Suedezi po merr kohë dhe përgjigja sido të jetë do të vonojë disi.

Në fillim Maldini, pastaj Zvonimir Boban kanë folur hapur për tratativën e për lojtarin. Një sinjal i rëndësishëm që dicka konkrete i është propozuar sulmuesit, pas javësh hipoteze, është dhënë. Ibrahimovic ka një kontratë deri në 31 dhjetor me LA Galaxy, skuadër e MLS, por nga janari është i lirë e mund të shkojë ku të dëshirojë. Dyshimi i vetë suedezit është për kontributin real që mund të japë për cështjen milaniste. Por nuk është se ka thënë “jo” mbi idenë se mund të kthehet kuqezi e periudha e kohës së marrë për të vendosur, shërben për të bërë refleksionet e duhura teknike, përpara atyre ekonomike.

Sipas asaj që kuptohet në zyrat e drejtuesve të Milan, Ibrahimovic është mes pranimit të propozimit të Milan e tërheqjes nga futbolli, një mundësi e vështirë për tu imagjinuar, por që me kalimin e kohës, e uljen e pretendentëve, po merr kuota të reja. Krishtlindjet në familje mund të jenë të rëndësishme për këshillën përfundimtare, për më tepër që Milan nuk mund të presë përtej në mënyrë që të mos kapet i papërgatitur në merkato, në rast të një përgjigje negative.