Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka takuar të martën 5 përfaqësues të partive të vogla të qendrës së djathtë duke pranuar të marrë përsipër gjetjen e gjuhës së përbashkët për uljen e palëve në dialog si rruga e vetme për daljen nga kriza e thellë politike. Në fund të takimit, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mehdiu u shpreh optimist se me përfshirjen e presidentit do arrihet ulja e palëve në dialog duke shmangur një konflikt të mundshëm në vend.

Vetëm pak momente pas takimit ka ardhur edhe reagimi zyrtar i zyrës së Presidentit të Republikës, sipas të cilit nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Kreu i Shtetit, nënvizoi Presidenca, do të vazhdojë kontributin e Tij, me të gjitha format e mundësitë për të kërkuar reflektimin e të gjithëve, me qëllim garantimin, jo vetëm të bashkëjetesës demokratike, por edhe ecurinë e suksesshme dhe të besueshme të reformave të lidhura me integrimin europian.