Stadiumi_Qemal_Stafa
Stadium i ri do të quhet “Arena kombëtare” dhe do të ketë 22 mijë vende. Projekti i paraqitur nga Federata nuk do të ndryshojë raporton Shqiptarja.com, që citon Arben Dervishin, anëtarin e Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit.

“Pas 2-3 muajsh, ose më saktë në Janar të vitit të ri 2016 do të nisë që të shembet stadiumi aktual “Qemal Stafa”, mbi rrënojat e të cilit do të ngrihet stadiumi i ri.

Aktualisht jemi duke negociuar për koncesionarin. Ndërsa përsa i përket projektit të stadiumit të ri “Arena Kombëtare” mund të them se nuk do të ketë asnjë ndryshim nga projekti italian që kemi paraqitur”shprehet ai.

Të gjitha tribunat do të jenë të mbuluara. Godina do të përmbajë rreth 14.000 metra katrorë qendër biznesi, ndërsa 4 mijë metra katrorë do të vihen në dispozicion të Federatës Shqiptare të Futbollit për zyra dhe nevojat e saj.

Në anën veriore të stadiumit do të ngrihet një kullë e lartë, më një restorant ekskluziv të stadiumit dhe një studio televizive trasmetimi.

Shembja mund të zgjasë për afro 6 muaj dhe me nisjen e Europianit të Francës mund të nisë ndërtimi i stadiumit të ri. Përsa i përket financimit, Dervishi u shpreh se ende nuk është vendosur përfundimisht sesi do të jetë skema, por FSHF dhe qeveria do të japin pjesën më të madhe të shumës.