vlai_0

Në një shkrim të javës që kaloi, gazeta belge “La derniere heure” nënvizonte se ambasadorja e BE në Shqipëri, në 11 intervistat e fundit që kishte dhënë, nuk kishte folur asnjëherë për korrupsionin dhe kanabisin. Shkrimi e vinte theksin tek heshtja e ambasadores në një kohë kur sipërfaqja e mbjellë me kanabis është trefishuar, sipas të dhënave të antimafias italiane dhe korrupsioni është endemik. Ambasadorja në fakt nuk ka folur asnjëherë publikisht për këto dy fenomene. Për kanabisin ajo u pyet në “E Diell” në Top Channel. Zonja Vlahutin pranon se kanabisi është një problem, por nuk shpjegon se përse ajo ka heshtur për këtë problem serioz, që BE e ka edhe si kusht për hapjen e negociatave.

Krasta: Zonja Ambasadore, keni marrë ju gjatë këtyre muajve, viteve,  informacione të klasifikuara ose jo, ka qenë pjesë e axhendës tuaj të diskutimeve dhe a keni folur ju ndonjëherë publikisht për një problem shumë të madh që ne kemi aktualisht në Shqipëri, që është problemi i shtrirjes së kanabisit nëpër fushat shqiptare. Është ky një problem që ju diplomatikisht ose jo do të kishit pranuar të thoshit diçka?

Vlahutin: Është një problem dhe për shumë muaj ne kemi punuar që ky problem të trajtohet në mënyrë të strukturuar. Ju e dini që Guardia di Finazia e Italisë ka qenë shumë e pranishme në Shqipëri, madje me aeroplan ata kanë fluturuar mbi fusha për të parë plantacionet, për të kuptuar se çfarë po ndodhte! Dhe ne të gjithë së bashku, pra Komuniteti Ndërkombëtar kemi shkuar te qeveria kemi thënë diçka duhet bërë. Dhe ajo që kam parë përpara dy ditësh ka qenë një strategji tërësore për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve dhe është hartuar pjesërisht me asistencën e ekspertëve të huaj. Ne si Bashkim Europian sollëm ekspertë kryesisht nga Hollanda dhe Belgjika. Ne duhet të shohim tani se çfarë forme ka marrë kjo strategji dhe ajo që do të jetë gjëja më e rëndësishme do të jetë zbatimi i saj. Ky është një problem vërtetë serioz dhe unë dua t’iu siguroj jo vetëm ju por edhe audiencën teleshikuesit që Komuniteti Ndërkombëtar në përgjithësi në rastin tim dhe Bashkimi Europian në veçanti po e ndjekin këtë çështje në mënyrë sistematike me vëmendje të veçantë për të parë se çfarë mund të trajtohet ky program.

Krasta: Si ambasadore ju keni pasur rastin kohët e fundit ta flisni këtë problem shumë të madh me Kryeministrin Rama?

Vlahutin: Ne jemi në komunikim të përhershëm me qeverinë për këtë problem dhe kjo është një gjë që siç ju thashë….

Krasta:…Është një çështje që flitet në mënyrë të vazhdueshme, apo jo për të gjetur rrugë për ta trajtuar atë?

Vlahutin: Absolutisht po! Tre nga pesë prioritetet kyçe kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Krimi i organizuar është pjesë e tyre dhe tani nuk ka pikë dyshimi për ne që ky është një problem i cili duhet zgjidhur. Po ashtu, duke pasur parasysh elementët e ndryshëm të këtij procesi, ne kemi bërë thirrje në mënyrë të sinqertë, bashkë me kolegët e SHBA-së që qeveria të përpilonte një plan tërësor i cili të mund të zbatohet shumë shpejt për këtë problem…