Enti Rregullator i Energjisë Elektrike dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të miratojnë në fund të këtij viti kontratën e re dhe mënyrën e re të faturimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.
Parlamenti i ka lënë si detyrë për vitin 2018, ERE-s dhe OSHEE-së që të nisin procedurat për të mundësuar mënyrën e re të faturimit.

Tashmë, konsumatori familjar do të ketë lexim të sahateve të tij një herë në tre muaj ose një herë në 6 muaj. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, në kontratën e re, do t’u lërë si mundësi qytetarëve të zgjedhin nëse duan të faturohen sipas modelit të ri ose me faturimin aktual.

Pra, për secilin familjar do të krijohet një historik i konsumit të energjisë dhe në bazë të tyre ata do të paguajnë një shumë fikse energjie çdo muaj. Në muajin e tretë kur do të bëhet matja e energjisë së harxhuar, në rast se familjari ka konsumuar më pak, atëherë OSHEE do t’ia rimbursojë këtë shumë në faturën e muajve të tjerë. Modeli i ri i faturimit është vendosur në rezolutën e miratuar nga Parlamenti për vitin 2018.