Untitled-1
Aleks Shpori, i arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi do të paguante 29 mijë euro ryshfet prokurorit të Krujës Haxhi Giu, ka ndryshuar dëshminë e tij. Ndryshe nga deklarata e parë, Shpori tani pretendon se me lekët e gjetura brenda në makinë do të blinte një makinë në Durrës, raporton Shqiptarja.com.

Nuk është e qartë sa do të ndikojë në proces, ndryshimi i dëshmisë së tij. Një pjesë e parave që do të përdoreshin për korruptimin e prokurorit u gjetën nga policia dhe u sekuestruan. Fillimisht Shpori tha se paratë që iu gjetën ishin premtuar prokurorit për lehtësimin e akuzës ndaj vëllati të tij i akuzuar për trafik droge.

Përveç parave të sekuestruara, prokuroria ka si provë edhe biseda të regjistruara të familjarëve të Shporit që zbulojnë skemën e korruptimit të tij. Pjesë e provave është edhe një filmim mes Aleks Shporit dhe prokurorit Haxhi Giu.