Nafta_me_Euro
ava nisi me rritjen e ccmimit të naftës në të gjitha pikat e tregtimit me pakicë. Një litër naftë u shit të hënën me 177 lekë, 3 lekë më shumë se javën që shkoi. Ka disa pika që e tregtojnë atë edhe me 179 lekë për litër. Rritja nuk ishte e beftë. Ajo ka nisur prej muajit janar. Aktualisht në krahasim me janarin nafta kushton 18 lekë më shumë për çdo litër të blerë. Me një llogari të thjeshtë, për një serbator të plotë (rreth 60 litra) çdo qytetar paguan 10 mijë lekë të vjetër më shumë sesa në janar.

Revista ekonomike Monitor shkruan se “rritja në këto nivele këtë herë ngelet e pambështetur në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, pasi taksa e shtuar 10 lekë u reflektua më herët gjatë muajit shkurt, ndërkohë që çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare mbetet në nivelin e 63 dollarëve për fuci”.

Në të tilla kushte, rritja e çmimit të naftës me 11.3 përqind duket tërësisht e pajustifikuar.

Të dhënat tregojnë se nevojat e tregut të brendshëm po plotësohen në masën 30 % nga nafta vendase. Importi ka rënë më shumë se 20 % në janar e shkurt.

Në bursën ndërkombëtare çmimi vazhdon të mbetet thuajse në të njëjtat nivele. Arabia Saudite dhe disa vende të tjera të OPEC po prodhojnë sasi të mëdha, në nivele rekord.

Atëherë, përse rritet çmimi i naftës në Shqipëri kur taksat nuk kanë ndryshuar, importet kanë rënë dhe në bursën ndërkombëtare nuk ka rritje të vlerës? Dhe përse rritja reflektohet thuajse në të gjitha pikat e tregtimit? Autoriteti i Konkurrencës, nga një hetim i ushtruar disa kohë më parë përjashtoi mundësinë e kartelit, pra të rënies dakord për vendosjen e çmimit nga grosistët. Qeveria nuk mundet të ndërhyjë në fiksimin e çmimeve. Por nëse përjashtohet ekzistenca e “kartelit”, si është e mundur që çmimet janë thuajse njësoj?

Shqipëria vijon të mbetet vendi me çmimin më të lartë të naftës në rajon. Grosistët fajësojnë qeverinë. Po kështu edhe opozita. Dy grupet përllogarisin mbi 1 000 lekë taksa për çdo litër karburant. Këto taksa, që përfshirë akcizë, taksën e qarkullimit e TVSH –në pengojnë rënien deri në një nivel të caktuar të çmimit, por ato nuk kanë asnjë rol në luhatjet e shpeshta të tij. Këto luhajte zakonisht reflektojnë vetëm rritjen e vlerës së karburanteve në tregjet ndërkombëtare.