lindita-nikolla_2_0_0

Monika Kryemadhi dhe Lindita Nikolla patën një përplasje publike për ligjin e arsimit të lartë. Në takimet me të rinjtë, Kryemadhi doli e pakënaqur para të rinjve për reformën në arsim, ndërsa Lindita Nikolla iu përgjigj se këtë po e bënte për fushatë. Në një intervistë për News24, Monika Kryemadhi i ëhstë rikthyer edhe njëherë debatit. Ka kujtuar se Lindita Nikollën e njeh mirë, sepse e ka pasur mësuese matematike dhe ka dalë në përfundimin se Lindita Nikolla nuk e ka shkruar vetë reagimin e saj.

Unë Linditën e kam patur mësuese. Më ka dhënë matematikë në gjimnaz. E vlerësoj dhe e përkrah në gjithë punën e saj që bën dhe e ka shumë të vështirë, ndoshta edhe me vetë problematikat që ka Ministria e Arsimit. Por jam e bindur që nuk e ka shkruar ajo mesazhin, por të tjerët. Pra, vazhdoj t’i qëndroj deklaratave të mia. Asnjëra nga ne nuk e ka me tapi pozicionin dhe i bëj thirrje prapë maturantëve që asnjëri të mos bëjë kompromise në kurriz të dijeve të tyre” ka thënë Monika Kryemadhi.

Pakënaqësitë për ligjin e ri të arsimit të lartë tek Monika Kryemadhi kanë qenë të hershme. Ia ka shprehur edhe bashkëshortit të saj, Ilir Metës, por duket se ky e ka shpërfillur.

“Përplase dhe debate kemi pafund. Madje unë jam nga personat që kam debate më shumë nga të gjithë me Ilir Metën. Mund të rrimë me ditë të tëra pa folur për pozicionet apo qëndrimet e mia që unë kam në marrëdhëniet që mund të jenë nga problemet nga më të ndryshmet. Siç ka qenë ligji për arsimin e lartë, siç kanë qenë disa qëndrime të tjera përsa i përket disa projektligjeve që i kemi votuar për arsye të kompromisit dhe të bashkëpunimit ose për arsye të koalicionit dhe më pas kanë ardhur te fjalët tona, që të tjera gjëra thuhen dhe të tjera gjëra bëhen.

Në momentin që debatoni, cili është ai që toleron në fund duke pasur sloganin me qetësi dhe me dashuri?

Është i qetë si person. Kur është i tensionuar thotë s’kam kohë. Tensionin më të madh të vetes e ka “s’kam kohë të merrem me ty”, flas për veten time si bashkëshorte. Në politikë secili pozicionohet në llogoren e vet. Në fakt eksperienca e gjatë e të dyve na ka bërë që pozicionimet tona të jenë në aspekte të ndryshme. Pra unë pozicionohem në një fushë tjetër, ai është i pozicionuar diku tjetër dhe kjo ka bërë që të mos përplasemi shumë. Por në momentet që këto dy, organizimi dhe vendimmarrja vijnë dhe përplasen, sigurisht që përplasja është e madhe, ka debate shumë të mëdha dhe pastaj me pak zbutje, toleron pak njëri dhe toleron tjetri, e kemi me grupe, pasi unë jam më shumë e përfshirë me rininë” ka shpjeguar Monika Kryemadhi.