Mithat-Tola-Ekspert-Rrugor1-1024x682
Natën e Vitit të Ri, pini ujë, nëse do të dilni nga shtëpia! Policët do të lëshohen në rrugë për të futur në burg të gjithë ata që i kapin me mbi 0.5% alkool. Në shembullin e udhëheqjes, Mitat Tola i kujton burgun atyre që do jenë në timon, për festat e ndërrimit të vitit. Po kush është Mitat Tola? Drejtor i Përgjithëm i Policisë Rrugore. A është kjo policia që duam? Kjo nuk ka më rëndësi. Rëndësi ka të mos përfundosh në burg, sipas paralajmërimit që Mitat Tola i bën të gjithë shqiptarëve në prag të festës së ndërrimit të viteve. Gjatë një interviste pwr Panorama, Tola tregon se 756 vetë janë futur në burg nga Policia Rrugore.

Pjesë nga intervista e Mitat Tolës tek Panorama

Kur fillon plani i masave?

Plani i masave fillon që në datë 30 dhjetor (sot), në orët e para të mëngjesit dhe mbyllet në datë 3 janar të vitit të ri. Akset rrugore dhe autostradat do të jenë të përforcuara me forca lëvizëse operacionale, kryesisht FNSH. Ndërsa, sa i përket Policisë Rrugore, kushdo që kapet duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit, të gjithë do të përfundojnë në burg.

Ka ndonjë ndryshim në lidhje me këtë, sa i përket përqindjes së masës së alkoolit, apo ashtu siç ka qenë gjatë gjithë vitit?

Jo, jo, ashtu siç ka qenë. Mbi 0.5 për qind, të gjithë do të shkojnë në burg. Nuk do të ketë asnjë lloj toleromi për askënd.

Ndërkohë kemi porositur të gjithë shefat e Policisë Rrugore që të bëjnë teste alkooli, nisur nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Shkozet, ku një drejtues i dehur u fut në krah të kundërt dhe vrau një të pafajshëm që ishte përballë, çfarë ka lëvizje, sidomos gjatë orëve të natës, të bëjnë testin. Pra, në momentin që bie nata, të gjithë forcat e Policisë Rrugore të jenë të përqendruara kryesisht në hyrje-daljet e qyteteve dhe afër lokaleve të natës dhe të testojnë të gjithë drejtuesit e mjeteve për alkool. Kush rezulton mbi 0.5 për qind, të gjithë do të shkojnë për ndjekje penale. Ka një urdhër të prerë për këtë çështje që duam ta theksojmë edhe nëpërmjet jush, në mënyrë që kushdo që drejton një makinë ta ketë të qartë se çfarë i ndodh nëse konsumon alkool. Duam që viti i ri të kalojë pa viktima. Pra, dua ta ritheksoj se patrullat e Policisë Rrugore në veçanti janë instruktuar të forcojnë kontrollet për pije alkoolike që mund të konsumojnë drejtuesit e mjeteve në festat e fundvitit dhe natën e ndryshimit të viteve.

Në fakt, i gjithë viti 2015 është shoqëruar me plane të tilla masash, kryesisht në fundjavë për ndalimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve që drejtojnë makinën nën efektin e alkoolit. Keni bërë ndonjë analizë të punës së këtij viti?

Deri tani nga të dhënat operative të shërbimit të Policisë Rrugore janë vendosur rreth 633 mijë masa administrative për të gjitha shkeljet e Kodit Rrugor, që nga fillimi i viti 2015. Ndërkohë që nga kontrollet e Policisë Rrugore janë dërguar për ndjekje penale 1833 persona për drejtim mjeti pa leje drejtimi (neni 291/ i Kodit Penal, drejtimi i mjetit në gjendje të parregullt). Ndërsa 756 drejtues mjetesh që janë konstatuar me përqindje alkooli mbi kufirin e lejuar, pra që janë konstatuar në gjendje të dehur, janë proceduar penalisht dhe janë dërguar për ndjekje penale.