Shoqëria Albgaz (Operatori i Kombinuar i Gazit Natyror në Shqipëri) ka hapur aplikimet për rekrutimin e 36 punonjësve shqiptar për të operuar në strukturat në terren përgjatë gazsjellësit TAP.

Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, punonjësit do të vendosen në rrethin e Korçës, Beratit, Fierit dhe Çorovodës. 24 punonjës duhet të jenë me kualifikim minimal bazë ((Qendra e Mirëmbajtjes / Operatori i Stacionit të Kompresorëve) dhe 12 prej tyre me kualifikim teknik të avancuar në cilësi drejtuese (Qendra e Mirëmbajtjes / Teknikët e Stacionit të Kompresorëve).

Sipas Albgaz, kandidatët do të trajnohen dhe do të certifikohen nga SNAM në Itali dhe Shqipëri në 6-mujorin ë parë të këtij viti.

“Kompania italiane “SNAM” garanton kualifikimin e punonjësve si dhe transferimin e njohurive teknologjike sipas standardeve të sektorit, por në veçanti edhe të TAP. Për këtë arsye shoqëria e sapokrijuar ka çelur procesin e rekrutimit të profesionistëve të rinj duke u ofruar mundësi të rinjve shqiptarë për punësim”, thuhet më tej në njoftimin e Albgaz.

Marrëveshja e Mirëmbajtjes midis TAP dhe shoqërisë së përbashkët Albgaz-Snam për ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes së gazsjellësit në territorin e Shqipërisë u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar.

Kandidatët e interesuar mund të dërgojnë aplikimin në info@albgaz.al.