Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro deklaroi se në Parkun e Butrintit nuk po ndërtohet, por po rehabilitohet një godinë ekzistuese e ndërtuar në vitin 1975.

Sipas ministres, ky objekt 5-6 metër katror ka shërbyer herë si depo, herë si kafene. Duke rindërtuar këtë objekt, Kumbaro shprehet se do të mundësohen shërbime efiçente për turistët.

“Nuk është shkelur në asnjë pikë ligji për trashëgiminë kulturore dhe janë respektuar të gjitha procedurat. Projekti në fjalë është në kuadrin e një pakete shërbimesh. Kjo është arsyeja pse përmenda biletarinë, tualetin e tij. Qëllimi është një pikë qëndrimi për turistët. Bëhet fjalë për një ndërtesë, objekt ekzistues një objekt 5-6 m katror ndërtuar në vitin 1975 që herë ka shërbyer si depot, herë si kafene. Duhet të ketë shërbime efecientë për turistët. Ne kemi pasur kërkesa nga operatorët për shërbime që kërkoheshin nga turistët. Godina as shtyhet as afrohet. Pozicioni i godinës me murin është ajo që ka qenë dhe nuk ndryshon. Bëhet vetëm rehabilitimi i godinës”- u shpreh Kumbaro në Komisionin e Medias dhe Edukimit. Parku i Butrintit është zonë e mbrojtur nga UNESCO. Opozita ngriti alarmin pas raportimeve për ndërtim në këtë park, duke vënë gishtin mbi qeverinë.