1447976838ylli-story
Sharjet dhe ofendimet që ka lëshuar ndaj Edi Ramës, nuk do ta pengojnë Ylli Manjanin në punën e tij si ministër drejtësie. Nuk tërhoqi asgjë dhe nuk shfaqi asnjë pendesë gjatë emisionit “Top Story”, kur u pyet për ato që i ka thënë Edi Ramës publikisht.

“E vërteta e deklaratave të mia të mëparshme ka të bëjë me një gjë: Ylli Manjani është kritik. Teknologjia e të menduarit tim është kritika dhe kjo besoj është mënyra më e mirë. Unë kam qenë dhe mbetem kritik, ndonjëherë edhe agresiv, por nuk kam ndër mend të kërkoj ndjesë apo të bëj apologjira. Kam qenë kritik edhe ndaj Sali Berishës, kur isha zv.ministër në qeverinë e tij. Kam kritikuar edhe Ilir Metën”, u shpreh Manjani.

Ai tha se nuk ka pasur debat për emrin e tij mes Ilir Metës dhe Edi Ramës.

“Në dijeninë time nuk ka pasur debat mes Ramës dhe Metës për këtë çështje. Ideja e ndryshimit erdhi pas dorëheqjes së Naços. Dorëheqja u vlerësua nga kryesia e partisë, kryetari dhe nga Kryeministri. Emri im ka dalë në këtë diskutim si pasues i zotit Naço dhe për mua është sfidë që ta pasoj denjësisht atë. I jam mirënjohës LSI-së, por edhe Kryeministrit që më ka dhënë besimin e nevojshëm”, tha Manjani duke e mbyllur këtë temë njëherë e mirë.