mi

Në një kohë kur kreu i Kuvendit pritet të mbledhë sot Konferecën e Kryetarëve për nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri, kanë ardhur edhe kandidaturat e para për këtë post. E ftuar në emisionin ‘Natë më Xhaxhiun’ në ‘News24’, nëse do pranonte postin për kreun e Shtetit, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka thënë se është e gatshme dhe e nderuar të pranonte këtë post.

Ndërkohë kryeministri Rama tha dje gjatë një interviste se nuk do të bëjë asnjë lëvizje në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri pa u këshilluar më parë me aleatin e tij në koalicion, Ilir Metën.

Gjatë ditës së djeshme Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta mbi përcaktimin e kalendarit për zgjedhjen e presidentit të ri. Mandati i Bujar Nishanit mbaron më 24 korrik.

Gjithashtu edhe Drejtori i Shërbimit Juridik të Kuvendit Alban Brati i dërgoi një memo Metës ku e njofton për procedurat dhe afatet e zgjedhjes së Presidentit të Republikës një ditë para afatit të nisjes së procedurave.

Në letër thuhej se mandati i presidentit Bujar Nishani mbaron më 24 korrik 2017 ndërsa procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, fillojnë jo më herët se 13 prilli 2017. Ndërkohë që ligji parashikon edhe procedurat në rastin e mbarimit të mandatit të Kuvendit aktual, i cili përfundon më 9 shtator të këtij viti.