doganaa

Edhe sot nuk ka pasur transparencë nga financat se sa është paguar në total Crown Agents dhe nëse i është mbajtur ndonjë pjesë pagese për shkak se nuk ka plotësuar objektivin e rritjes së të ardhurave për të dyja vitet, sidomos për vitin 2015, kur të ardhurat ranë edhe në raport me faktin…

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë auditimit të Ministrisë së Financave “Mbi zbatimin e rregullshmërisë financiare” për 2015-n, ka konstatuar ndër të tjera se financat kanë shpenzuar 9 milionë euro më shumë se plani i fillimvitit për zërin “Mallra dhe Shërbime”, nga të cilat 5 milionë euro kanë shkuar për kompaninë Crown Agent (Kjo e fundit kishte një kontratë dyvjeçare (2014-2015) me qeverinë shqiptare për rritjen e performncës së të ardhurave në dogana, me të drejtë rivovimi, por që nuk u vazhdua më tej nga qeveria shqiptare).

Sipas raportit të KLSH-së, “Nga auditimi i realizimit të buxhetit të vitit 2015, për shpenzimet korrente për “Mallra dhe shërbime”, konstatohet se fillimisht u planifikua, në nivele pothuajse të përafërta me vitin ushtrimor paraardhës, konkretisht 1,503,939 mijë lekë, ose 17,400 mijë lekë më pak se fakti i vitit 2014 (rreth 1% më pak), por në vijim buxheti u rishikua, duke u rritur në 2,797,214 mijë lekë (ose rreth 184% më shumë se viti 2014 dhe rreth 19% nga buxheti fillestar i vitit 2015), nga të cilat u realizua në masën 2,725,871 mijë lekë (ose realizuar rreth 98%). Impaktin më të madh në këto shtesa të konsiderueshme e kanë pasur shpenzimet e ekzekutuara me VKM të veçanta, si ato që lidhen me pagesa të vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) (për periudhën objekt auditimi 3,049 milionë lekë, nga të cilat rreth 76% likuiduar në vitin 2015), likuidime që Ministria e Financave bën për rritjen e aksioneve të Republikës së Shqipërisë, në Bankën e Detit të Zi (per periudhën objekt auditimi rreth 393 milionë lekë nga të cilat rreth 85% likuiduar në vitin 2015), apo pagesa për shërbimin e asistuar në lidhje me administrimin e doganave të Shqipërisë kundrejt Crown Agents (rreth 692 milionë lekë gjatë vitit 2014- 5 mln euro)”.

KLSh konstagton se “Këto shpenzime të paparashikuara në buxhetin fillestar të Ministrisë së Financave, duke u miratuar rast pas rasti me VKM, mbeten deri diku jashtë autoritetit të Aparatit, nga buxheti i të cilit në përfundim këto fonde ekzekutohen. Sa më sipër gjithashtu tregojnë formalitetin e procesit të planifikimit që si i tillë rezulton në fakt të ndryshohet vazhdimisht, duke mos u bërë një mjet i besueshëm i reflektimit të politikave fiskale të vetë institucionit”.

KLSH rekomandon se “Duke konstatuar raste kur shpenzimet janë kryer nga buxheti i Aparatit (kjo për vitin 2014, e sistemuar në vitin 2015), por ndërkohë aseti për të cilin është investuar (psh rasti i Crown Agents”) i takon doganave, të merren masa që në të gjitha rastet në të ardhmen, shpenzime të tilla të kryhen në raport të drejtë me parimet e regjistrimeve kontabël, duke u kanalizuar shpenzimet në ato institucione të cilat përfitojnë asete nga kryerja e këtyre shpenzimeve dhe jo tjetërkund”.

Konflikti i Crown me financat për pagesën një vit më parë

Monitor pblikoi rreth një vit më parë dokumentacionin e korrespondencës mes Crown Agents dhe Ministrisë së Financave, teksa kjo e fundit tentoi të mos paguante Crown për shkak të mosrealizimit të objektivit të të ardhurave në 2014-n. Një korrespondencë e gjatë, ku janë të përfshirë Ministria e Financave, Crown Agents, Drejtoria e Doganave dhe Avokatura e Shtetit, tregon se Ministria e Financave ishte e dyzuar nëse Crown Agents duhet të “shpërblehej” për 2014-n, pasi nuk kishte përmbushur objektivin që të rriste të ardhurat doganore me 1% të PBB-së, siç përcaktohej qartë në kontratë. Financat tentuan të mos bënin një pagesë (rreth 300 mijë euro), duke e argumentuar me ecurinë e dobët të të ardhurave.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Financave është detyruar të paguajë Croën pasi nuk ka respektuar afatin ligjor për të argumentuar arsyet e refuzimit të pagesës, ndërkohë që kompania britanike kërcënoi me arbitrazh.

Korrespondenca është zhvilluar në gjysmën e parë të 2015-s (deri në korrik) dhe lidhet me performancën e kompanisë britanike për 2014-n. Të ardhurat doganore në total atë vit u rritën me 0.77% të PBB-së, apo me 10.9 miliardë lekë më shumë. Në një shkresë të Drejtorisë së Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, në mars 2015, që i drejtohej zëvendësministres së Financave thuhej se kjo shtesë ka ardhur 6.6 miliardë lekë si rrjedhojë e ndikimit të Paketës Fiskale dhe 4.2 miliardë lekë nga kuadri makroekonomik. Viti 2014 u mbyll me të ardhura 5.5 miliardë lekë më pak se plani, ku ndikimin më të madh e dhanë akciza dhe renta. Drejtori i politikave fiskale e sqaron zëvendësministren se “Llogaritja e të ardhurave për administratën doganore për vitin 2014 nuk merr parasysh të ardhurat shtesë prej 1% të PBB-së të cilat duhet të kishin ardhur si rezultat i marrëveshjes me Croën Agents. Në fakt, në krahasim me vitin 2013, të ardhurat nga administrata doganore janë 10.9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, ose 0.77 % e PBB-së”.

Ministria e Financave ka tentuar të shfrytëzojë faktin që realizimi i pjesshëm i kritereve të performancës së të ardhurave është pranuar nga Crown Agents në rishikimin vjetor që i është dërguar Autoritetit Kontraktues më 17 shkurt.

Në email-in që David Smith nga Crown, i ka dërguar doganave dhe zv.ministres së Financave, “kërcënon” që nuk ka asnjë mundësi që drejtorët të pranojnë mospagesë totale për objektivin e të ardhurave, duke paralajmëruar se do ta çojë çështjen për zgjidhje të pavarur në arbitrazh. Ai pohon se mund të pranojnë një pagesë prej minimumi 80%. Smith thotë se është e vërtetë që ata kanë pranuar në raportin e 17 shkurtit se objektivi i të ardhurave nuk është arritur, por shton se aty tregohet qartësisht se Autoriteti Kontraktues (qeveria) nuk ka përmbushur detyrimet në bazë të kontratës, çka ka ndikuar direkt punën e britanikëve dhe mundësinë për të realizuar objektivin e të ardhurave.

Kontrata e dështuar me Crown Agents

E konceptuar si një kontratë konsulence e ndërthurur me aksione në terren, britanikët e Crown Agents do të fitonin pagesa 8.5 milionë euro në dy vitet e para të aktivitetit, plus 400 mijë euro për makina dhe të tjera pagesa për zyrat dhe infrastrukturën operacionale në Shqipëri.

Por, Crown Agents nuk e përmbushi detyrimin kontraktor me qeverinë shqiptare që kërkonte që të ardhurat doganore të rriteshin për një vit fiskal jo më pak se 90 milionë euro (1% e PBB).

Situata nuk ka qenë shumë dramatike në vitin e parë kur të ardhurat neto në fund të 2014-s ishin 10.9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, ndonëse plani vjetor nuk u realizua me 5.5 miliardë lekë ose -3.5%.

Por gjithsesi, Crown Agents nuk e ka përmbushur detyrimin kontraktor me qeverinë shqiptare, pasi të ardhurat faktike ishin vetëm 78 milionë euro më shumë, ndërkohë që kontrata e kërkonte që ato të mos ishin më pak se 90 milionë euro.

Por situata u bë alarmante në 2015-n, ku performanca e doganave ra dukshëm si me planin dhe me faktin e vitit. Deri në fund të muajit nëntor, doganat kishin grumbulluar 7.3 miliardë lekë më pak në krahasim me faktin e vitit 2014, dhe 9.5 miliardë lekë më pak se plani i vitit. Siç shihet nga rezultatet e të ardhurave doganore, kompania britanike, Crown Agents, jo vetëm që nuk e ka përmbushur detyrimin kontraktor për rritjen e të ardhurave, por për vitin 2015 ato ishin 6.57 miliardë lekë (47 milionë euro) më pak se fakti i vitit 2014, sipas të dhënave zyrtare të statistikave fiskale nga Ministria e Financave.

Edhe sot nuk ka pasur transparencë nga financat se sa është paguar në total Crown Agents dhe nëse i është mbajtur ndonjë pjesë pagese për shkak se nuk ka plotësuar objektivin e rritjes së të ardhurave për të dyja vitet, sidomos për vitin 2015, kur të ardhurat ranë edhe në raport me faktin.