Rama-Meta_10

Ilir Meta ka folur për herë të parë në lidhje me negociatat që janë bërë mes tij dhe kryeministrit Edi Rama për çështjen e zgjedhjes së Presidentit së ri. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Meta tha se mënyra e zgjedhjes së presidentit të ri ishte parashikuar që në marrëveshjen e 1 prillit të 2013-tës. Ai dhe Rama kishin rënë dakord se Presidenti do të jetë i maxhorancës dhe një propozim i LSI-së.

“Arsyet që unë e pranova postin e presidentit? Ky nuk ka qenë as plani im edhe as projekti i LSI-në. E para marrëveshja me PS-në ishte që PS-LSI do të zgjedhin presidentin me konsensus dhe kjo nënkuptonte që Presidenti do të vinte nga ne (LSI). Ne kemi qenë të hapur që këtë post ta marrë LSI, por nuk kemi qenë dakord për këtë variantin që u zbatua sepse qëllimi ka qenë që Ilir Meta të drejtojë LSI-në këtë fushatë elektorale” – tha Meta duke treguar se për këtë qëllim gjatë negociatave e vuri Presidentin në paketën e ofertës që PD të hynte në zgjedhje.

“Në këto kushte unë kam insistuar që Presidentin ta ofrojmë si pjesë të një pakete ndaj opozitës për të bërë marrëveshje. PS nuk ishte dakord me këtë. Ata thoshin që ta zgjidhim bashkë sepse na takon neve. Unë u thash ky pozicion duhet të vendoset pjesë e paketës me opozitën. Në rast se ne nuk do të kishim bërë këtë zgjidhje të premten, PS do të zgjidhte presidentin, ose do të konsumonte ato dy raunde dhe do të shkonim në zgjedhje të parakohshme, c’ka do ta rëndonte akoma më shumë situatën. Në këto kushte, ky veprim që unë bëra ishte në të mirë të stabilitetit të vendit. Angazhimi im do të jetë maksimal, sepse unë jam për stabilitetin, por jo pa demokraci, jam për demokracinë, por jo për anarshinë” - tha Meta.

Në lidhje me opozitën dhe faktin se ajo nuk do të hyjë në zgjedhje, Meta është shprehur se pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tij për të “bashkuar pikat”, PD duhet të kuptojë dhe të jetë e përgjegjshme për dënim që do t’i bëjë vendit.

“Zgjedhje pa opozitën? Nuk më ka shkuar në mendje dhe çdo ditë kam punuar dhe do të punoj e të përpiqem që kjo gjë të mos ndodhë. Qëndrimet e mia kanë qenë të forta, që nga ideja e qeverisë së besimit deri tek ajo që të lëmë mandatet për zgjidhje politike dhe shumë mesazhe të tjera. Që nga thirrja e PPE-së për të ndihmuar në dialog ne ende sot nuk kemi një dialog. Kemi një komunikim me palë të treta. Padyshim që opozita duhet të hyjë në zgjedhje, por ama duhet luftuar që të ketë edhe zgjedhje me standarde. Unë kam një pyetje, në rast se LSI në vitin 2008 kur u bë kodi, do të kishte bojkotuar, çfarë do të kishte ndodhur? Do të ishte shuar si forcë politike. PD mund të ketë të drejtën e saj, por të kesh pretendimin se të gjithë komisionerët e tu shiten….”-tha Meta.