spartak-braho_9

Një ditë pas deklaratës së fortë të Gramoz Ruçit se PS do të shkojë në zgjedhjet e 18 qershorit, me apo pa LSI-në, një prej eksponentëve të rëndësishëm të partisë së Ilir Metës është përpjekur sot të “ulë gjakrat”. Spartak Braho përmes një letre me titullin “Refleksionet”shkruan ndër të tjera se e ardhmja e koalicionit PS-LSI është rruga e tyre e përbashkët me qëllim përmbushjen e reformave.

“Koalicioni qeverisës PS-LSI të kalojë me prioritet në zgjidhen e cështjeve të papërfunduara, të kryejë reformën zgjedhore, reformën në drejtësi etj, të zgjidhë krizën që imponohet nga opozita e djathtë dhe kërkesat ultimative të saj, me qëndrim të përbashkët dhe dialog të pandërprerë. Besoj se për këto qëllime të medha edhe në të ardhmen këto dy forca politike të të majtës shqiptare kanë një rrugë të përbashkët”, shkruan Braho.

Në vijim të letrës, “Baba Taku” evidenton disa zhvillime qe sipas tij kanë trazuar koalicionin mes Ramës e Metës, duke përmendur përfshirjen e PDIU-së në koalicionin e majtë dhe tendencën “manipulative te strukturave ligjzbatuese per te krijuar imazh negative dhe alibira me synimin njollosjen e perfaqesuesve te LSI-së”. Tjetër pikë që ndikoi negativisht sipas tij në mbarëvajtjen e koalicionit, ishte nënvlerësimi i kritikave të LSI-së për fenomenin e kanabisit.

“Nuk u vleresua por u nevleresuan kritikat e LSI-se ndaj fenomenit kanabizimit te territorit gjate vitit 2016 dhe u konsideruan keto si tendencioze.Tek disa ministra te vecante te saj u vune re shenja arrogance dhe megallomanie  te “partise se madhe qe spyet per aleatin e saj kryesor. Edhe veprimi i Partise Socialiste per futjen ne qeverisje dhe koalicion te PDIU-se ndonese u tha se ishte levizje taktike e Rames, gjykoj se ishte e pamotivuar, e pakonsultuar dhe jasht parimeve te Mareveshjes per Shqiperine Europiane”, shkruan ndër të tjera Braho.

Ndërsa afron afati për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore në KQZ, ende nuk dihet nëse PS dhe LSI do të shkojnë së bashku në zgjedhje apo jo. Përfaqësues të LSI-së artikulojnë me forcë pretendimin që Ilir Meta duhet të jetë Kryeministër i Shqipërisë. Nga ana i qëndron idesë se nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, ndonëse partia e Metës u regjistrua sot në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit.