mr

I sapozgjedhur president i Republikës, Ilir Meta ka shprehur bindjen se lëvizja e tij në këtë post nuk do ta cenojë krijesën e tij, LSI-në.

“Nëse LSI-ja do të rrudhej, ajo do ta meritonte këtë gjë në rast se fuqia e kësaj force politike do të bazohej vetëm tek një person. Por unë besoj se LSI do të fuqizohet dhe do të rritet, sepse ka mjaft drejtues e drejtuese të aftë jo vetëm të LSI-së, por mbi të gjitha të fuqisë më të madhe që ka LSI-ja, LRI. Ndaj nuk ka asnjë arsye që LSI të shqetësohet”, – ka deklaruar Meta.

Meta ka bërë me dije se një ditë para betimit të tij si president do të dorëzojë dokumentin e LSI tek sekretari i përgjithshëm ose tek nënkryetari i kësaj partie, por do t’u kërkojë atyre që “ta ruajnë mirë”. I pyetur nga mediat për pasardhësin e tij në krye të partisë, Meta është treguar i rezervuar duke nënvizuar se LSI ka një status të qartë.

“Nuk ka nevojë të mendoj një emër për pasuesin tim, pasi LSI ka një status të qartë dhe pas kryetarit vjen nënkryetari i parë, Petrit Vasili dhe në bazë të statutit do të jetë ai”, – ka shtuar Meta.