ilir-meta-top-story

I ftuar në Top Story presidenti i zgjedhur Ilir Meta thotë se paketa e propozuar nga numri dy i PPE, David Mc Allister ishte një ofertë e mirë që do të garantonte disa kërkesa të PD-së për të hyrë në zgjedhje. Meta thotë se me atë paketë opozita merrte Presidentin dhe hynte në qeveri me prezencën e saj. Meta thotë se nuk e di përse PD e refuzoi këtë ofertë, por sipas tij Basha e personalizoi krizën duke ashpërsuar gjuhën e debatit.

“PD mban një përgjegjësi serioze, sepse ka patur mundësi të bëhej pjesë e një zgjidhjeje dhe të merrte disa garanci, që deri më sot asnjë opozitë nuk i ka arritur në Shqipëri në mënyrë të vullnetshme nga ana e mazhorancës. Paketa McAllister ishte një mundësi e mirë për opozitën, të merrte postin e Presidentit, të shtyheshin zgjedhjet deri më 16 korrik dhe për t’u dhënë kohë ndryshimeve në qeveri, propozohej kryetari i KQZ për opozitën, t’i jepej edhe Avokati i Popullit dhe shumë elemente të tjera sigurie dhe garancie, që ishin disa masa që nuk kishin ndodhur më parë” -tha Meta.
“Unë e kam të vështirë t’i jap një përcaktim të qartë, jo vetëm për situatën aktuale, por edhe për zhvillimet para reformës. Më kanë krijuar një ndjesi se ka interesa jo vetëm për reformat, për zgjedhjet apo për t’i dështuar ato, por duket sikur ka interesa për të krijuar përplasje dhe konfrontim të panevojshëm në Shqipëri. A vjen nga paaftësia e politikanëve shqiptarë për të kuptuar interesin e shqiptarëve? A vjen nga interesa të tjera të jashtme? Unë nuk mund ta them dot. Unë e kam si ndjesi, por në fund përgjegjësia është e të gjithëve ne, jo vetëm e udhëheqësisë së PD-së, që duhet t’i kishte dhënë një zgjidhje kësaj situate. Ky është një proces i paparashikueshëm, që do t’i krijojë dëme afatgjata vendit. Kryeministri, në çdo rast, ka përgjejgësi për vendin më shumë sesa kryetari i opozitës. Nuk ka asnjë arsye se përse të japë dorëheqjen, nëse mendon se kjo nuk e zgjidh këtë situatë, por mendoj se çdo përgjigje konfliktuale nuk ndihmon për një atmosferë më të qetë dhe mirëbesuese.

“Rama mbajti një qëndrim të pranueshëm gjatë negociatave. Kishte zëra të tjerë nga PS më radikalë, por besoj se Rama ishte i gatshëm për dialog. Ai kishte vetëm një kusht atë që lidhet me Vetingun. “Pavarësisht debateve që kisha me Ramën nuk mund të mos them se ai i bëri përpjekjet për arritjen e marrëveshjes. Ai pranoi një shtyrje të pranueshme të zgjedhjeve. Paketa McCallister ishte një ofertë shumë e mirë. Edhe sot jam gati të jap dorëheqjen si president nëse kjo do t’i jepte mundësi zgjidhjes” – tha Meta.