rama-te-meta-735x400
Një ditë më parë e ktheu nga rruga, në afërsi të instalacionit “Bunkeri”, duke ia refuzuar takimin. Ndërsa sot Ilir Meta e la të priste Edi Ramën për afro 40 minuta në paradhomën e zyrës së tij, në Kryesinë e Kuvendit. Edi Rama u ngjit në zyrën e Metës në orën 9:00. Por kryetari i Kuvendit e kishte marrë me nge dhe mbërriti në zyrë 40 minuta me vonesë. Gjatë kësaj kohe Rama nuk e humbi durimin dhe e priti në paradhomën e zyrës. Dy krerët e mazhorancës u takuan edhe mbrëmë në darkë për reformën në drejtësi, pak orë pasi Ilir Meta foli hapur për një qëndrim të LSI që nuk shkon në të njëjtën rrugë me planet e Ramës. “Reforma në Drejtësi – tha Meta – nuk mund të bëhet pa opozitën… Dhe politika e faktit të kryer është e papranueshme”. Ky mesazh e ka shqetësuar Edi Ramën, që i ka shtuar kërkesat për ta takuar Metën, në një kohë kur kreu i LSI nuk duket më kaq i interesuar për ta patur në një tavolinë aleatin e tij.