• Në një dalje publike pas pjesëmarrjes në një aktivitet me rastin e ditës botërore të dhurimit të gjakut, presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka komentuar votimin me 100 vota pro në seancën e djeshme parlamentare të Rezolutës kundër dekretit të tij për shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Meta u shpreh se tanimë dekreti me t’u botuar në fletoren zyrtare, ka hyrë në fuqi dhe të gjithë ata që duan ta bëjnë të pavlefshëm, janë duke ecur në rrugën e paligjshmërisë.

Presidenti kërkon që të izolohet çdo i çmendur që shkel ligjin. Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira, dekreti është në fuqi dhe i detyrueshëm për të gjithë, ne na lind e drejta që ti ftojmë të kthehen në rrugën e ligjshmërisë. Mund ta çoni dhe në gjykatën e Skraparit po të doni, po vendimin për dekretin e presidentit e merr vetëm Gjykata Kushtetuese… Ata që do të provokojnë paqen sociale dhe sistemin demokratik në vend.”- tha kreu i shtetit.

Pyetur nga gazetarët nëse ka reflektuar pas ligjëratës së djeshme në Kuvend të kryeministrit Edi Rama, i cili e lakoi shpeshherë emrin e presidentit, Meta tha: “ Presidenti është zgjedhur nga parlamenti jo nga ky, nga një parlament plotësisht legjitim, por Presidenti i takon Republikës dhe Republika i takon vetëm shqiptarëve, besoj se jam shumë i qartë.”

Ndërsa, në përmbyllje të prononcimit të tij, presidenti bëri më dije se përcaktimi i një date të re për mbajtjen e zgjedhjeve, do të bëhet sa më parë që të jetë e mundur.