Presidenti shqiptar Ilir Meta i ka shprehur keqardhjen e tij presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me votën të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA.

Në një letër dërguar presidentit të Shteteve të Bashkuara, ku fillimisht e falënderon për urimet e dërguara prej tij me rastin e 105 vjetorit të Pavarësisë, Meta shpreh “keqardhjen e madhe për votën e Shqipërisë në OKB kundër aleatit dhe mikut tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA në momentet më të vështira të ekzistencës së tij” – shkruan Meta.

Kreu shqiptar i shtetit thotë se do të kërkojë personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare.
Edhe më herët gjatë ditës, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, presidenti Meta kishte theksuar ndër të tjera se “ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”.