Bashaa

Opozita konsolidoi sot qendrimin e saj për zgjedhjet. Me anë të një memorandumi të nënshkruar nga partitë e koalicionit opozitar, u theksua se votimi dhe numërimi elektronik është një kusht thelbësor për garantimin e votës së lirë e të ndershme.

Memorandumi pritet të nënshkruhet edhe nga parti të tjera jashtë koalicionit opozitar.

Bashkëngjitur memorandumi i nënshkruar sot.

MEMORANDUM PËR GARANTIMIN E STANDARDEVE TË ZGJEDHJEVE NË SHQIPËRI

Ne partitë politike nënshkruese të këtij dokumenti,

  • duke konsideruar se zhvillimi i zgjedhjeve të radhës për Kuvendin e Shqipërisë në përputhje me standartet e OSBE-së dhe të Këshillit të Europës janë domosdoshmëri dhe kusht i patjetërsueshëm politik për garantimin e demokracisë dhe integrimin europian të Shqipërisë;
  • duke shprehur shqetësimin e thellë për përkeqësimin e standardeve të zgjedhjeve, të konstatuara nga Raporti Përfundimtar i OSBE/ODIHR për vitin 2015, ku nënvizohet ndër të tjera shkelja e standardeve themelore të OSBE si, liria e votës, barazia në kandidim dhe ndarja e shtetit nga partia, me pasoja jo vetëm mbi standardin e procesit zgjedhor, por dhe në besueshmërinë dhe legjitimitetin e organeve të zgjedhura;
  • duke konsideruar si rrezikun më të madh dhe kryesor për procesin dhe standardet e zgjedhjeve të vitit 2017 fenomenin e shit-blerjes së votës dhe korrupsionin zgjedhor, përfshirë korruptimin e komisionerëve zgjedhorë, me para kriminale që burojnë nga niveli i paprecedent i narkotrafikut dhe korrupsioni galopant me tendera dhe koncesione publike, si dhe bërja palë e policisë së shtetit në këto fenomene dhe mosndëshkimi penal i tyre;
  • duke konstatuar se në mënyrë të paprecedentë procesi i reformës zgjedhore është zvarritur për të bërë të pamundur sigurimin e standardeve ndërkombëtare kur mbeten vetëm 5 muaj nga data e dekretuar e zgjedhjeve; duke konsideruar se nje reformim pjesor i Kodit Zgjedhor që nuk garanton përmirësim të plotë të standardeve zgjedhore është një farsë dhe joefektiv;

parashtrojmë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme si më poshtë:

  1. Realizimin e (1) identifikimit biometrik të zgjedhësve, (2) votimin elektronik dhe (3) numerimin elektronik te votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shklallë vendi që integron në një proces të tre komponentët e mësipërm.
  2. Dekriminalizimin e procesit zgjedhor nëpërmjet zbatimit me intensitet, shpejtësi dhe forcë të ligjit 138/2015 për dekriminalizimin si dhe dekriminalizimin e kandidaturave për zgjedhjet e radhës, dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga procesi zgjedhor, nga fushata dhe veçanërisht nga prania e tyre ditën e zgjedhjeve;
  3. Duhet të ulet kostoja e fushatës zgjedhore nëpërmjet reduktimit drastik të shpenzimeve për fushatë, të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin e partive dhe të forcohen penalitetet në Kodin Penal, përfshirë cilësimin e shit-blerjes së votës si krim i rëndë;
  4. Të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve njerëzore të admnistratës publike në fushatë apo strukturat zgjedhore partiake si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike;
  5. Garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik si dhe reduktimi dhe normimi i hapësirës publicitare në fushatë zgjedhore, me qëllim sigurimin e një fushate të drejtë;

Mazhoranca aktuale dhe qeveria e saj kanë provuar në zgjedhjet e Korçës në vitin 2013, zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe zgjedhjet e Dibrës të vitit 2016, se synimi kryesor për to është fitorja me çdo kusht dhe duke shkelur standardet nëpërmjet shitblerjes së votës dhe përdorimit të segmenteve kriminale. Rritja dramatike e fenomenit të narkotrafikut i lidhur edhe me segmente shtetërore dhe korrupsioni qeveritar, janë rrezik i madh për procesin zgjedhor. Këta faktorë dëshmojnë mungesën e vullnetit të mazhorancës për të zhvilluar zgjedhje sipas standarteve demokratike.

Ne partitë politike nënshkruese të këtij memorandumi, konsiderojme se përmbushja e kushteve të mësipërme është një minimum i domosdoshëm dhe i pakapërxyeshëm për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Mospermbushja e tyre është tregues i qartë që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhjet që kërkojnë shqiptarët dhe që hapin rrugën e integrimit europian. Në këtë kuadër, ne partitë politike nënshkruese të këtij memorandum i kërkojmë shumicës qeverisëse si përgjegjësja kryesore për sigurimin e standardeve të zgjedhjeve, që të angazhohet për sigurimin e tyre nëpërmjet mbështetjes publike të kushteve të mësipërme dhe kontributit për realizimin e tyre

 

Tiranë, më 16.01.2017

 

PARTITË NËNSHKRUESE;

Partia Demokratike

Partia Republikane

Partia Demokristiane

Partia Levizja per Zhvillim Kombetar

Partia Agrare Ambjentaliste

Partia Bashkimi i te Drejtave te Njeriut

Partia Levizja e Legalitetit

Partia Balli Kombetar

Aleanca Kuqezi

Aleanca Ekologjike Europiane

Partia e te Drejtave te Mohuara e Re

Partia Kombetare Konservatore

Partia Popullore Kristiandemokrate

Partia Lidhja Demokristiane

Partia Ora e Shqiperise

Partia Bashkimi Demokratik

Partia Bashkimi Liberal Demokratik

Partia Konservatore

Partia Mendimi i Djathte Liberal

Partia B.P. Prensionisteve Shqiptare

Partia Demkoracia e Re Europiane

Partia per Liri Demokraci Etike

Partia Balli Kombetar Demokrat