presdheva
Meqë marrëveshja për Asosacionin e Komunave Serbe në Kosovë është në favor të Serbisë, Hashim Thaçi pritet të çojë në këmbë shqiptarët e Luginës që kërkojnë autonomi dhe reciprocitet me serbët në Kosovë. Ky është pretendimi i mediave serbe pas nënshkrimit të marrëveshjes në Brukes mes Isa Mustafës dhe Aleksandër Vuçiç.

Pikërisht për shkak se “të gjitha letrat janë anën tonë”, sidomos lidhur me AKS-në, shefi i diplomacisë së Kosovës Hashim Thaçi, parasheh gazeta Kurir e Beogradit, planifikon që shqiptarët nga Lugina e Preshevës të kërkojnë autonomi të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës!

“Thaçi është i gatshëm të bëjë presion ndaj shqiptarëve të Preshevës që të kërkojnë edhe të drejtën për bashkim me Kosovën. Meqë Serbia ka fituar më shumë se sa që ka pritur për AKS-në, Thaçi do të sigurojë reciprocitet me shqiptarët”, citon Koha.net burimin e “Kuririt”.

Riza Halimi, kryetar i PVD-së ka thënë se ky është qëllim i kahershëm i shqiptarëve.

“Që nga vitit 2006, shqiptarët nga Lugina e Preshevës kanë kërkuar zgjidhje të statusit dhe të kenë reciprocitet e të drejta të njëjta si serbët e Kosovës”, ka thënë Halimi.

Kjo gazetë, duke raportuar për marrëveshjet e parafuara në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë i quan ato historike pasi ato Serbisë ia hapin rrugën evropiane.

Dialogu, thotë gazeta, ka përfunduar me sukses dhe se kryeministrat Vuçiq e Mustafa as nuk janë takuar e as nuk kanë folur.

“Edhe pse ishte planifikuar që gjatë dialogut të Beogradit e Prishtinës të takohen edhe Vuçiqi e Mustafa, ashtu siç ishin takuar në rundin e fundit, ata dje nuk janë takuar. Të gjitha i ka koordinuar përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të jashtme e Siguri Federica Mogherini. Kjo mënyrë e punës doli të jetë e suksesshme”, citon një burim nga Brukseli gazeta.