Rama-Meta_4

Në “martesën” mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim duket se ka mbetur për t’u konsumuar vetëm koha e kontratës. Që aleatët kanë mbetur të tillë vetëm në “kontratë” kjo duket qartë në pozicionin kritik që po mban LSI këto kohë thuajse për të gjitha vendimet e qeverisë Rama; koncesionet, kanabisi, reforma zgjedhore, legalizimet etj.

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani kritikoi mbrëmë në Top Story edhe mënyrën se si Edi Rama e sheh koalicionin, “si bashkim numrash dhe jo si përpjekje për konsolidimin e së majtës. Dhe këtu Manjani përmendi PDIU –në, duke kujtuar më parë se kryetari i saj, Shpëtim Idrizi e ka mandatin nga PD.

Sokol Balla: Flisni pak a shumë me gjuhën e opozitës, LSI edhe në propozimet me reformën është shumë më afër me ato që ka thënë opozita. Megjithatë, ka një ftesë nga kryeministri aktual që nga shtatori e këtej, ku la të kuptohej që ftesa është për LSI, por ju po luani. Do të vazhdojë koalicioni?

Ylli Manjani: Nëse përputhen disa pamje me ato që thotë opozita nuk është blasfemi. Ne dallojmë me ata, por kemi disa përputhje. Ka shqetësime vendi dhe Qeveria duhet të jetë në punë dhe të fillosh me idenë se çfarë do të bëhet me qeverinë, kjo nuk është noramle. Çdo gjë në kohën e duhur.

Sokol Balla: Cila është arsyeja që nuk ktheni përgjigjje?

Ylli Manjani: Arsyeja është kjo që të thashë! Logjika e LSI është që të respektojmë institucionet që kemi zgjedhur dhe që janë në punë ende. Është hedhur një barrë e padrejtë drejt LSI-së pse nuk përgjigjet për koalicion. Kujt t’i përgjigjemi ne?!

Sokol Balla: Ftesës që ju ka ardhur.

Ylli Manjani: Ça ftese?! Ka një ftesë dasme dhe asgjë tjetër. Ka deklarata “i madhi dhe i vogli…” dhe informacione që kemi edhe PDIU-në. Ne duhet të ulemi të diskutojmë për idetë sepse kemi shumë pika të përbashkëta, por kemi edhe çështje të mprehta që na ndajnë.

Sokol Balla: Perceptohet sikur LSI lëviz mes dy partive deri në limite kohore dhe bën pazare me të dyja palët…

Ylli Manjani: Marrëveshja e Shkodrës bashkoi të majtën dhe nuk ishte pazar.

Sokol Balla: Dmth ardhja e PDIU në koalicion a e rrezikon vazhdimin e koalicionit tuaj me PS?

Ylli Manjani: Nëse pritet një përgjigje, kam merakun kush është pyetja. Deri më sot nuk ka një pyetje. Ne duhet të sqarojmë të konsolidojmë të majtën e bashkuar, apo të bëjmë një koalicion numrash. Ky ësthë mendimi im, jo i LSI-së.

Sokol Balla: Ju po thoni që ardhja e Idrizit është bërë pa konsultë me LSI?

Ylli Manjani: Nuk e di këtë. Po ngre një çështje dhe po arsyetoj me faktet për t’u përgjigjur pyetjeve se çfarë do të bëjmë në të ardhmen dhe këtu më mungon se cila është ideja.

Edi Rama ka nisur t’i dërgojë sinjale Ilir Metës prej shtatorit. Fillimisht tentoi ta kompleksojë, duke i kujtuar “martesën” me PD. “I takon Ilir Metës të vendosë nëse do të qëndrojë apo do të rimartohet djathtas”, u shpreh ai në një intervistë televizive.

Prej nëntorit Rama i ka kujtuar disa herë LSI –së se koalicioni me PS është strategjik. Ai arriti deri aty sa të shprehet para asamblesë socialiste se shumë prej tyre i ankoheshin për njerëzit e LSI që “vidhnin”, por iu përgjigj socialistëve se më shumë sesa çështje individësh, koalicioni me LSI ishte për çështje më madhore, si realizimi i reformave. Ai iu rikthye tezës së vjetër se “është sistemi që korrupton njeriun dhe jo njeriu sistemin”.

LSI ka zgjedhur ta lërë kryeministrin në retorikën e tij. Ilir Meta i lëshoi disa sinjale shprese kur tha se për koalicionin do të vendosej pas zgjedhjes së forumeve, në fund të dhjetorit. Tani LSI e ka spostuar afatin e vendimmarrjes në prill, në të njëjtën periudhë që vendosi të shkëputej nga qeveria Berisha 4 vjet më parë.

Siç thotë ministri i Drejtësisë, LSI po respekton institucionet dhe afatet, duke mos folur para përfundimit të marrëveshjes për fatin e koalicionit. Ilir Meta po përpiqet t’i tregojë Ramës jo vetëm se LSI është më institucionale dhe se u qëndron pakteve, mesazh që ai ia ka dhënë disa herë partnerit që 4 vjet më parë e solli në qeveri.