meta_14
Ilir Meta do të udhëojë drejt Kosovës këto ditë, në cilësinë e ndërmjetësuesit mes pozitës dhe opozitës. Gazeta “Epoka e re” shkruan se Ilir Meta do të bëjë përpjekje për tejkalimin e krizës politike, përmes disa takimeve me liderët e politikës kosovare.

Shprehjen “Me qetësi dhe dashuri”, Meta duket se do ta përsërisë edhe për Hashim Thaçin e PDK-së, zëvendësin e tij, Kadri Veselin, si dhe me kryetarët e tri partive opozitare, atë të Vetëvendosjes, Visar Ymerin, të AAK-së, Ramush Haradinajn dhe liderin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limajn.

Gazeta ka mësuar të mërkurën se kryeparlamentari Meta do të jetë i shoqëruar nga dy personalitete publike, njëri prej tyre akademik.
“Ditët në vijim, brenda kësaj jave, në Prishtinë pritet të vijë kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i shoqëruar me dy personalitete publike shqiptare, njëri prej tyre akademik, në cilësinë e ndërmjetësuesve mes pozitës dhe opozitës”, ka thënë burimi i gazetës në kushte anonimiteti.
Dy ditë më parë në Kosovë ishte MInistrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e cila i hodhi më shumë benzinë zjarrit me deklaratën e saj moralizuese “Mos bëni gabimet e shqiptarëve”.