leskaj_0
Sot është mbledhur Këshilli i Mandateve në Kuvend, ku opozita përsëriti kërkesën për ndërprerje të mandatit të deputetes së PS-së, Valentina Leskaj.Arben Ristani argumentoi kërkesën, duke përmendur dy raste që djemtë e Leskajt kanë përfituar para nga fondet publike, cka sipas tij bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin për konfliktin e interesit të zyrtarëve të lartë.

“Njëri nga djemtë e deputetes Leskaj ka marrë nga pasuria publike me koncesion një segment të hekurudhës shqiptare. Fenomeni është bërë publik, ndërsa djali tjetër ka dy kontrata, një më 24 nëntor 2014 me Ministrinë e Bujqëisë, ku ka marrë 45 mln Lekë tenderim përmes firmës Abcons, ndërsa në rastin e dytë përmes firmës “Matrix Contructions” ka marrë 1 mln Euro kontrata të lidhura me institucione shtetërore dhe para publike”, tha Ristani.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së shtoi më tej se djemtë e nënkryetares së Kuvendit kanë shitur pjesët e aksioneve në kompanitë ku kanë qenë ortakë, menjëherë pas denoncimit të opozitës. Kjo sipas tij vërteton edhe njëherë kërkesën e PD-së për ndërprerje të menjëhershme të mandatit të Leskajt. Nga ana tjetër avokati mbrojtës i deputetes së PS-së hodhi poshtë kërkesën e opozitës, duke thënë se s’kemi të bëjmë me shkelje të ligjit të konfliktit të interesit.