adriatiku_2
Ekspertët e ngarkuar me hartimin e draftit të Reformës në Drejtësi janë në përfundim të ndryshimeve në draftin fillestar, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Por së fundi ata po bëjnë ndryshimet pa opozitën. Ekspertët e PD, Eklelejd Alibeja dhe Gazmend Bardhi nuk kanë marrë pjesë në dy tryezat e fundit. Opozita kërkon që mazhoranca të mos përdorë shumicën prej 3/5 të votave që ka në parlament për çështje që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, siç rekomandohet edhe nga “Venecia”. Këtë kërkesë PD e ka kthyer në kusht. Aktorë të shumtë po negociojnë për kthimin e opozitës në tryezën e ekspertëve. Ambasadori amerikan Donald Lu mësohet se e preku këtë çështje edhe në takimin që pati një ditë më parë me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Por nga ana tjetër tryeza e ekspertëve, edhe pse pa praninë e opozitës, ka vijuar punën për ndryshimet në draft. Edhe pse palët janë angazhuar për të respektuar rekomandimet e “Venecias”, për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm mazhoranca i ka qëndruar versionit fillestar. Ky version, që përcakton mënyrën e emërimit të Prokurorit të ri të Përgjithshëm, kufizon edhe mandatin e Prokurorit aktual, pra ndërprerjen e tij. Neni 51 i draftit thotë se: Prokurori i Përgjithshëm emërohet me tre të pestat e anëtarëeve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh sipas një procedure transparente dhe publike dhe bazuar në merita rendit tre kandidatët më të kualifikuar, të cilët gëzojnë reputacion të lartë. Nëse kuvendi nuk e emëron Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur më lart nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet i emëruar”. Ky propozim, sipas ekspertëve, nënkupton ndërprerjen e mandatit të Prokurorit aktual të Përgjitshëm sapo paketa e Reformës në Drejtësi të miratohet në parlament. Për miratimin e paketës duken 94 vota në parlament, ose ajo mund të miratohet edhe me referendum. Tërheqja e opozitës e bën të pamundur kalimin në kuvend, ndërsa kritika të forta shprehu mbrëmë edhe presidenti Nishani, i cili tha se institucioni i tij ishte anashkaluar nga kjo reformë.