Lokali-ne-Elbasan
Kamera e sigurisë, në lokalin ku ndodhi masakra në Elbasan dyshohet se u fik pak minuta para vrasjes, raporton Panorama. Bëhet fjalë për kamerën që filmonte hyrjen e lokalit.

Ende nuk është e qartë nëse kamera ishte dëmtuar nga të shtënat me armë, apo ka pësuar defekt. Kjo pritet të zbardhet në vijim nga policia, ndonëse pronari i lokalit, Agron Çapja, mbeti vetë viktimë e atentatit, i regjistruar në orën 20:00 nga policia e Elbasanit.

Lokali survejohej nga tri kamera, të cilat rezultojnë se janë nga më modernet e këtij lloji.

Për grupin hetimor deklarohet se, në lokalin e ngjarjes nuk kishte persona jashtë rrethit të të njohurve të fisit Çapja, për shkak dhe të konflikteve të mëparshme të tyre. Dëshmitarët kyç janë vetë të plagosurit, mes tyre dhe djali i Agron Çapjes dhe dy anëtarë të tjerë të fisit.

Policia dyshon se automjeti, i cili kreu masakrën, mund të ketë zbritur nga Kodër-Krasta duke e bërë këtë vend si pikë qëndrimi për të parë lëvizjet e familjarëve Çapja në distancë.

Gjithsesi mësohet se janë identifikuar katër persona si pjesëmarrës në këtë masakër, ndërsa mbahen nën vëzhgim 45 persona të tjerë. Edhe pse hetimet vazhdojnë, ngjarja në fjalë mbetet pa autor.

Hakmarrja është një nga pistat kryesore që Policia po heton në lidhje me masakrën e ndodhur në një lokal në lagjen “Krastë” të qytetit të Elbasanit, ku mbetën të vdekur tre persona dhe tetë të tjerë u plagosën. Por, gjithsesi, nuk përjashtohet edhe hetimi në lidhje me trafikun e drogës, çka ka çuar edhe në këtë ngjarje, e para e këtyre përmasave në qytetin e Elbasanit.

Sipas Panoramës, 45 gëzhoja janë gjetur brenda lokalit ku ndodhi ngjarja, kurse 25 gëzhoja janë gjetur jashtë godinës.