maqedoni_2

Banorët e Tearcës sot do të kenë edhe një mundësi të realizojnë të drejtën e tyre për të votuar. Vendvotimet janë hapur në ora shtatë, ndërsa në këtë rajon vërehet prani e shtuar e policisë.

Madje në mes fshatit Sllatinë dhe Leshkë, tashmë disa ditë me radhë është e pranishme një patrullë policore nga Stacioni për siguri në komunikacionin rrugor. Po ashtu një patrullë policore gjithnjë kontrollon automjetet në hyrje të fshatit Përshefcë.

Banorët e kësaj ane që dëshirojnë të ngelin anonim, thonë se krahas policisë së rregullt vërehen edhe inspektorë të policisë dhe pjesëtarë të njësive speciale.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se prezenca e përforcuar policore, është në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për zbatimin e qetë dhe të sigurt të rivotimit, që do të realizohet në një nga vendvotimet e këtij vendbanimi në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Thirrja e Ali Ahmetit

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ftuar sot në takim Kryetarët e partive shqiptare për të bashkëbiseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

“Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti, për sot (e shtunë) 24.12.2016, ka ftuar në takim Kryetarët e partive shqiptare për të bashkëbiseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit.

Takimi do të realizohet në Hotel Aleksandar Palas me fillim në ora 13.00”, theksohet në kumtesën e BDI-së.