1484257978ballamanjani_1484259373-3301793

Qeveria shqiptare e ka marrë seriozisht luftën ndaj kanabisit dhe më në fund duket se ka pranuar se ky fenomen është përhapur. Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani në një intervistë për “Top Story” tha se gjatë ditës së djeshme, me urdhër të kryeministrit, qeveria ka diskutuar për një strategji për të luftuar hashashin.

Megjithatë, ai thotë se më herët në mbledhjet e qeverisë, të paktën në prani të tij, nuk është diskutuar asnjëhërë për kanabisin.

Sokol Balla: Po kanabizohet?

Ylli Manjani: Padyshim.

Sokol Balla: Atëherë çfarë ndodhi, sepse kjo qeveri mbylli Lazaratin.

Çfarë shkoi gabim? Në Qeveri nuk diskutohet fare hashashi?

Ylli Manjani: Në praninë time nuk është diskutuar asnjëherë. Dje u fol për një strategji për të luftuar hashashin me urdhër të kryeministrit. Dje kemi diskutuar më shumë.

Sokol Balla: Mendoni që Qeveria po e merr me vonesë seriozisht këtë çështje?

Ylli Manjani: Ka një konsensus të përgjithshëm që fenomeni është përhapur dhe kjo është pozitive.

Sokol Balla: Dmth e pranon edhe kryeministri këtë?

Ylli Manjani: Projekt-dokumenti niste më këto fjalë dhe u gëzova që të paktën e pranojmë fenomenin.

Ministri i Drejtësisë, duke e vlerësuar situatën e kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të tij si cënim të sigurisë kombëtare, njëjtë  si qëndrimi që ka shprehur më herët edhe presidenti Nishani, mbrojti sërish idenë e tij se në terren veç policisë duhet të dalë edhe ushtrua,.

Sokol Balla: Kur folët që duhej nxjerrë ushtria kundër hashashit, Ilir Meta ju mori në telefon dhe ju kritikoi?

Ylli Manjani: Meta më ka dhënë besimin që të jem në krye të drejtësisë shqiptare dhe porositë që të jemi korrekt me detyrën dhe ligjin. Kjo është një detyrë politike dhe nëse nuk i them sot këto unë…

Sokol Balla: Kush ua kërkoi mendimin kur thatë që na duhet ushtria për të luftuar hashashin?

Ylli Manjani: Mendimi im është i njëjtë, duhet të shkulim hashashin nga toka dhe koka e shqiptarit.

Sokol Balla: Vërtet besoni që është kaq serioz?

Ylli Manjani: Është shumë serioz dhe për të shkuar partizan në mal tek hashashi, çmimi luhatet nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë. Pra njerëz që i shihnim rregullisht, këto kohë kanë preferuar të dalin partizanë e të bëjnë këtë punë të paligjshme. Fenomeni ekziston dhe ekziston në mënyra të frikshme. Shqipëria po jep një imazh gjithnjë e më shumë që po kultivon hashash.

Sokol Balla: Ndani shqetësimin e opozitës se paratë e drogës mund të përdoren për blerjen e votës?

Ylli Manjani: Sa më shpejt të heqim këtë fenomen nga kokat tona aq më mirë do të jetë, sa më vonë aq me keq do të jetë. Lëvizin shuma marramendëse parash, ku nuk do të jetë më askush i zoti që ta bëjë këtë luftë pastaj proporcionale. Ne duhet ta ndalim me çdo kusht, me ushtri, xhandarmëri e të tjera. Unë jam për rikthimin e xhandarmërisë për të kontrolluar territorin.

Sokol Balla: Po thoni që droga është fenomen kërcënues për sigurinë kombëtare?

Ylli Manjani: Absolutisht që po! Situata, nëse ne nuk ndërhyjmë, siguria është shumë herë më e rrezikuar se gjithë fenomenet e tjera.