manjani-2_1485778136-3180349

Mjaft i ashpër ishte në konferencën e tij të fundit si ministër i Drejtësisë, Ylli Manjani, pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për ta shkarkuar nga kjo detyrë.

Manjani tha se nuk ka ditur gjë për këtë vendim, çka nënkuptohet se atij nuk i është komunikuar shkarkimi nga kreu i qeverisë. “Po kështu u katandis kjo qeveri”, – u shpreh Manjani. Ai tha se ka qenë kryeministri Rama që i ka bërë presion kreut të Kuvendit Ilir Meta për ta shkarkuar si minsitër të Drejtësisë, dhe kjo sipas Manjanit, lidhet me faktin që ai fliste në media pa lejen e Endri Fugës, këshilltarit për mediat të kryeministrit.

“Me kryeministrin Rama ne nuk kemi debatuar për çështje personale, gjithmonë për çështje ligjore. Dhe me këtë pjesë nuk kam asnjë pishmanllik, c’kam pas i kam thënë. Rama ka harxhuar kohë për të bërë presion kryetarit të parlamentit që të shkarkohem, arsyeja e di ai, por ajo që thotë është që unë flas pa lejen e Fugës. Ministrit kërkohet t’i mbyllet goja. Rri urtë, bëj nai tender apo koncesion dhe je në rregull. Ky është mesazhi i kryeministrit”, tha Manjani.

Manjani tha se është i “nderuar që është shkarkuar” dhe se i “vjen turp për këtë qeveri”, me të cilën, sipas tij, nuk ka asnjë lidhje.

“Denoncova se shteti nuk po mbronte investimet e huaja dhe pas kësaj deklarate në Këshillin e Ministrave u përzu dhe u rrah një biznesmen, duke e përzënë nga Shqipëria. Kam marrë nisma që më janë refuzuar në mënyrë të tmerrshme nga njerëz që nuk janë mbi ministrat. Këto kanë qenë debatet, por më i madhi është se pse flet me mediat”, u shpreh ai.

Ne vend te tij si minister drejtesie, LSI ka propozuar Petrit Vasilin, ndersa vendin e kreut te grupit parlamentar te kesaj force politike e merr Luan Rama.

“Do isha ministër jetëgjatë nëse do të qepja gojën e të zbatoja porositë, por ndërgjegja ime qytetare e profesionale nuk ma lejonte këtë gjë”, mbylli fjalën e tij Ylli Manjani.