se

Edi Rama ngriti sot një fortunë në media, kundër një oferte, që iu është bërë maturantëve për tezën e provimeve, në këmbim të kartave të identitetit. Si shembull i ndershmërisë dhe rebelimit kundër kulturës së korrupsionit, thirrja e Ramës në Poliçan erdhi e fortë, duke i dhënë zemër maturantëve të refuzojnë.

“Sot në mëngjes, lexova me trishtim një lajm që maturantëve ka filluar t’u ofrohet kopja e tezave të provimeve të maturës shtetërore, në këmbim të parave apo kartave të identitetitpër familjarët e tyre. Së pari, dua t’ju them maturantëve dhe prindërve të tyre, se kushdo që ua ofron këtë është në mashtrim, se tezat e maturës shtetërore janë super të sekretuara dhe askush nuk mund t’i ketë dhe jo më t’i nxjerrë në pazarin e votave. Së dyti dua t’u them të gjithë atyre që gjenden para kësaj oferte mashtruese, që jo vetëm ta refuzojnë, por edhe të kuptojnë se mjafton një ofertë e tillë që shkel dinjitetin e prindërve tuaj, për të refuzuar ofertuesin dhe për t’u bashkuar edhe më shumë për Partinë Socialiste.”

Lajmi është ndër të parët, në çdo televizion. E gjen kudo nëpër portale. Pa e kuptuar se e gjithë zhurma për këtë fenomen, është një grackë e “qytetarit dixhital”.

Ky burim lajmi, shpikje ekskluzive e Sali Berishës, u përdor sot si armë nga Edi Rama, kundër kundërshtarëve politikë, .

Deklarata vjen në kulmin e sulmeve të LSI-së për reformën në arsim. Dhe topin që ngriti kryeministri, e goditi Lindita Nikolla.

Në përgjigjen që i dha Kejdi Mehmetajt të LSI-së, ajo shkroi:

“Të pres të dalësh e të bësh thirrje që të ndëshkohet kushdo që mashtron maturantët, duke iu ofruar tezën imagjinare në këmbim të kartës së identitetit dhe të eurove për kartën e prindërve”.

Lindita Nikolla lë të kuptohet se pas kësaj oferte të pisët, qëndron LSI.

Mjaftojnë këto dy deklarata, që hamendësimet të amplifikohen. Ky ishte ndër lajmet e para të edicioneve informative sot. Dhe me të drejtë, sepse citimi vjen direkt nga shefi i qeverisë.

Po ku bazohen akuzat e Edi Ramës, për ofertën që i bëhet maturantëve për provimet, në këmbim të kartave të identitetit?

“Lajmi” i mëngjesit u publikua nga Zathur.net, një portal pranë Partisë Socialiste. Burimi është një ankesë në kutinë e postës elektronike të portalit, nga një i ri, i paidentifikuar, që thotë se është nga Libofsha.

Ja çfarë i shkruan “qytetari dixhital” postës së Zathur.net.

“Doja të denoncoja një rast flagrant të blerjes së kartave të identitetit nga të rinjtë e LRI. Sot më kërkuan mua edhe të rinjve të tjerë që votojmë për herë të parë dhe do na japin tezat e maturës një ditë para provimit. Nëse nuk japim të paktën kartën tone, nuk do na ndihmojnë as në provime. Më parë ata na kanë premtuar që do na ndihmojnë edhe me mungesat në shkollë e me tezat e maturës. Tani duan kartat që të japin tezat. 2 shokë e 1 shoqja ime i dhanë dhe ata i thanë të sillnin edhe të atyre të shtëpisë, e të jepnin 50 euro për kokë në familje. Mua më kanë marrë tre herë por nuk jam përgjigjur se duan kartën. Po sia dhash, do më ngelin për maturë. Nuk di cfare te bej! Keta të djegin dhe shkollën kot nëse su jep kartën. Kam shumë frikë se sdi cfare te bej. Ju lutem denoncoheni ju këtë rast se kam shumë frikë. Mos e nxirni nr tim ju lutem.

Ky është rasti i fundit për blerjen e votës tek të rinjtë nga LSI e cila është në qendër të akuzave. Shumë akuza të tjera me në qendër këtë objekt politik vijnë edhe nga rrethe të ndryshme por edhe nga të rinjtë në kryeqytet. Këto raste të shumta po bëhen probleme dhe po diskretitojnë zgjedhjet pa ndodhur akoma”.

Denoncimi është i paverifikuar. Nuk jepet asnjë provë, asnjë emër, asnjë foto, asnjë video, asnjë shenjë, që të provojë se diçka e tillë ka ndodhur.

Vetëm një ankesë e “qytetarit dixhital”, që çuditërisht arrin deri në veshët e Edi Ramës dhe bëhet pjesë e fjalimit të tij. Për t’u bërë më pas, lajmi kryesor në media.

A mund të jetë rastësi që një “lajm” i tillë, një thashethem nga ato që qarkullojnë me qindra në internet, të arrijë rastësisht deri tek kryeministri, për t’u shpërndarë kudo?

“Sot në mëngjes lexova me trishtim një lajm” tha kryeministri në fjalimin e Poliçanit, kur në fakt duhet të kërkonte hetimin e menjëhershëm të një krimi të rëndë si ky.

Nuk është rastësi që Rama mbeti tek trishtimi. Kryeministri është i ndërgjegjshëm se kemi të bëjmë me një lajm të fabrikuar, ndaj thjesht e ka përdorur këtë në interes të politikës së ditës.

Kryeministri thotë se nuk sheh lajme në televizor, nuk lexon gazeta dhe i përbuz portalet, duke i quajtur “mediat e kazanit”.

I pëlqen të jetë edhe arrogant, përçmues, ofendues dhe tekanjoz me mediat dhe gazetarët, por siç duket, jo për raportin që kanë ato me të vërtetën.

Vetë kryeministri, sot nuk e pati problem të shpërndajë një lajm fals.

Pas arrogancës së tij, fshihet pamundësia për t’i pasur nën kontroll dhe për t’i përdorur, njësoj siç bëri sot, kur infektoi me lajmin fals thuajse të gjitha mediat në vend, në interes të tij.(