Majlinda Bregu, ish ministre e integrimit e Shqipërisë, ka marrë zyrtarisht detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, duke zëvendësuar në këtë detyrë Goran Svilanovi?.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal është padiskutim struktura më e rëndësishme për promovimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të Europës Juglindore dhe është krijuar në vitin 2008 si pasardhëse e paktit të stabilitetit të Europës juglindore.

Në deklaratën e saj të parë si Sekretare e Përgjithshme e këtij organizmi, me një mandat 5 vjeçar, znj. Bregu nënvizon: “Përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë kemi një interes të përbashkët”! Jean Monnet ishte i bindur se “kombet europiane duhet të bashkohen për të mbijetuar”. E njëjta gjë vlen edhe për Ballkanin Perëndimor. Për të ruajtur peshën në një botë që po ndryshon shpejt, duhet të forcojmë marrëdhëniet tona”.

Ajo shton se, mbështetja për reformat në Europën Jug-Lindore ka qenë dhe do të vijojë të jetë bërthama e përpjekjeve të këshillit.

“Ndërlidhja! Integrimi i ekonomive tona në një treg të vetëm, lidhja e njerëzve dhe bashkëjetesa e vlerave; investimi në kapitalin njerëzor dhe intelektual, – çdo reformë lidhet me interesin tonë të përbashkët politik, atë të sigurisë dhe dukshëm me atë ekonomik. Nuk do të jetë e lehtë, e di. Do të jetë një sfidë “të notosh” në mes të situatave të vështira ekonomike, shoqërore dhe politik”-, shton ajo, duke nënvizuar edhe faktin se, e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtësisht me zhvillimin e përbashkët.