vlora-c1200x600
Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestro preventive për një sipërfaqe toke prej mbi 44 mijë metra katrorë, me vlerë tregur rreth 4.4 milionë euro në zonën bregdetare të “Jonufrës” në qytetin e Vlorës, e dyshuar se është përfituar nga pasardhësit e shtetasit Gjon Gjonboçari në bazë të dokumentave të fallsifikuar.

Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin në Shkurt të vitit 2015, në bazë të kallëzimit të Hipotekës së Vlorës, për veprime të kundërligjshme të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni.

Në vijim të hetimeve për një seri vendimesh të regjistrimit të pronave, për të cilët janë nën hetim ish-juristja Blerina Dhami dhe ish-kryeregjistruesi i Vlorës, Kujtim Sulçe, janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Ardian Gjonboçari, pasardhës i të ndjerit Gjon Gjonboçari, nëpërmjet dokumentave të fallsifikuara, ka regjistruar në vitin 2009 në ZVRPP (Hipotekë) një hapësirë toke me sipërfaqe totale 44 mijë m2, e cila, për më tepër është regjistruar si “tokë bujqësore”, ndërkohë që faktikisht gjendet në bregdetin e Vlorës.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Ardian Gjonboçari, nëpërmjet një prokurore si përfaqësues i të atit të tij, ka depozituar në vitin 2009 në Hipotekë një fotokopje të njehsuar me origjinalin të një akti të marrjes së tokës në pronësi, lëshuar në vitin 1996. Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se dokumenti origjinal i vitit 1996 nuk gjendet në asnjë nga institucionet që kanë për detyrë nxjerrjen, ruajtjen dhe administrimin e dokumentave të pronave.

Në këto kushte, Prokuroria e Vlorës ka krijuar dyshime të arsyeshme se ky dokument, i cili ka shërbyer për regjistrimin e pronës në emër të pasardhësve të shtetasit të ndjerë Gjon Gjonboçari, është i fallsifikuar. Për këtë arsye, Prokuroria kërkoi vendosjen e sekuestron preventive mbi këtë sipërfaqe toke, kërkesë e cila u pranua nga ana e Gjykatës së Vlorës.