Lulzim Basha mungoi sot në pritjen që Presidenti Ilir Meta mbajti në Pallatin e Brigadave me rastin e festave të Nëntorit. Ai vendosi të vizitojë Shkodrën për të marrë pjesë në koncertin e organizuar me rastin e 105-vjetorit të pavarësisë. Në postimin në Facebook, Basha e quan këtë mbrëmje speciale.

Por a është ky koncert i organizuar në Shkodër arsyeja pse kreu i Partisë Demokratike mungoi në pritjen që organizoi Meta në Tiranë?

Përpos aludimeve se Basha mund t’a ketë zgjedhur Shkodrën si pasojë e këshillave të PR-ve, apo se mbrëmjet festive i kalon gjithnjë mirë atje, një tjetër arsye duket se do t’a shtynte kryedemokratin të mos pozonte krah Metës sot.

Fotoja më poshtë është shkrepur sot paradite. Monika Kryemadhi, aleatja e Bashës në ‘Frontin opozitar kundër krimit të organizuar’, ishte në Elbasan krah kryebashkiakut aq të sulmuar nga Basha dhe PD-ja, Qazim Sejdini.Sipas PD-së, Qazim Sejdini është i lidhur me trafikun e drogës, vjedjen e votave dhe ka mbrojtur kriminelët. Por, kjo nuk e pengoi Kryemadhin, që në dukje i ka dhënë besën Lulzim Bashës për të luftuar qeverinë e krimit dhe instalacionet e saj në gjithë vendin, të pozojë dhe të festojë ditën e pavarësisë së vendit krah një krimineli të supozuar nga aleati i saj.

Ky veprim i Kryemadhit duket se nuk e ka peguar as vetë Bashën të zgjedhë të pozojë në Shkodër për këtë ditë feste, dhe jo pranë bashkëshortit të aleatës së tij në opozitë, Ilir Metës.“Në Shkodër shkoj gjithnjë me gëzim, por sonte në Festën e Flamurit gjithçka ishte speciale në qytetin tim shumë të dashur. Bashkia e Shkodrës, me elitën artistike shkodrane dhe bandën muzikore të qytetit, organizoi një koncert të mrekullueshëm, të denjë për skenat prestigjioze europiane. Ishin 2 orët më speciale të 105 vjetorit të Ditës së Pavarësisë! Faleminderit Shkodra! Gëzuar 28 Nëntorin!”