Analisti Fatos Lubonja i ftuar në studion e lajmeve të “News24”, ka komentuar projektin e ndërtimit të ‘Unazës së Madhe’. Për Lubonjën i gjithë projekti është një vjedhje e madhe.

Teksa komenton koston prej 40 milionë euro të projektit, Lubonja shprehet se po punohet që të fitojë një grusht i vogël njerëzish.

I pyetur nëse 40 milionë euro është një kosto e fryrë për 2.2 km rrugë, Lubonja e cilësoi si një tjetër çështje, duke theksuar se duhej transparencë.

“Ajo është tjetër çështje pastaj. A i pyete ti këta qytetarë në emër të cilëve po flet, se ku do ishin më mirë të harxhoheshin 40 milionë euro?

Apo të kishe më shumë parqe, që njerëzit të kishin cilësi jetë.

Është një pyetje tjetër, në qoftë se po ta ngrinim këtë çështje qoftë në Këshillin Bashkiak, qoftë po të kishim njerëz normal në këtë qeveri, do ta ngrinim këtë çështje kështu.

E gjithë analiza të çon se këtu punohet për një grusht njerëzish për ato 40 milionë euro.

Këtu është bërë ha, kafsho edhe ik. Kafsho ku të mundesh, pa asnjë strategji, prandaj është bërë Shqipëria siç është bërë, këtu nuk ka zhvillim.

Ky nuk është zhvillim. Po të kishte zhvillim nuk do kërkonin mbi 50% e shqiptarëve të ikin.

Po na grabisin me paturpësinë më të madhe”, tha ai.