vasili tatimoret
LSI nuk ka ndenjur indiferente përballë konferencës pompoze që kryeministri Rama zhvilloi për të lajmëruar nisjen e operacionit kundër evazionit fiskal. Kryetari i grupit parlamentar, Petrit Vasili, nga ekrani i një televizioni, e këshilloi aleatin që qeveris tatimet e doganat që të bëjë kujdes. “Historia e zbatimit në terren të nismave të mëdha, të gjera, në Shqipëri ka rezultuar jo në pak raste, pra nuk kanë qenë sporadic,e ku ka pasur edhe qëndrime të ashpra ndaj atyre që janë në kufinjtë e ligjit. Nganjëherë ka pasur pse jo edhe arrogancë dhe këto në vend që ta ndihmojnë, e dëmtojnë procesin. Këto eksperienca negative të së shkuarës sigurisht duhet të jenë një moment delikat, i cili duhet kontrolluar dhe monitoruar nga Ministria e Financave, që normalisht udhëheq aksionin”, tha Vasili për Vizion Plus. Ky thumb i lëshuar nga LSI ndaj një prej aksioneve më të bujshme që qeveria ka ndërmarrë këtë vit nuk është rrufe në qiell të hapur. Vetë Vasili ka shprehur kritika përmes konferencave për shtyp këtë verë për mungesën e energjisë apo ujit të pijshëm në zonat turistike. Edhe këto kritika erdhën në kulmin e sezonit turistik, siç vjen në nisje të aksionit kundër evazionit fiskal edhe “këshilla” për të bërë kujdes. Prej zgjedhjeve të 21 qershorit, ku marrëdhëniet mes krerëve të dy partive udhëheqëse të koalicionit qeverisës pësuan çarje, LSI i ka shtuar kritikat ndaj qeverisë.