Duke nisur nga dita e sotme, lojërat e fatit e bastet sportive janë zyrtarisht të paligjshme. Kjo në fakt është njoftuar më herët dhe shumë biznese të sektorit e kanë mbyllur aktivitetin e tyre para hyrjes në fuqi të ndalimit ligjor. Pikëpyetje e këtij procesi ka qenë fakti nëse aktiviteti që më parë ishte ligjor, do të transformohej duke vijuar në formë joligjore. E në fakt, si ministri I Brendshëm ashtu edhe kryeministri kanë bërë të ditur publikisht se ka përpjekje për të krijuar skema lojërash ilegale. Për këtë qëllim, është parashikuar të ndiqet e njëjta skemë si me luftën kundër kanabisit, të paktën sikurse kanë deklaruar dy zyrtarët e lartë.

“Kemi konstatuar përpjekje për të krijuar skema lojërash ilegale, për të transformuar lokalet ekzistuese në klube ku pronarët përdorin skema të mbyllura. Po ju them të gjithë atyre që i kanë hyrë kësaj fantazie se do të përfundojnë aty ku kanë përfunduar bosat e tyre. Kaq po u them” tha kryeministri në daljen publike të fundvitit.

Ndërkohë, policia e shtetit do të qendrojë në gatishmëri për të mos lejuar asnjë njësi të lojërave të fatit që të vazhdojë të operojë. Për këtë qëllim do të përdoren të gjitha format e evidentimit, përfshirë edhe denoncimet e qytetarëve apo shërbimet e tjera të sigurisë. Nëse do të konstatohet se punonjësit e policisë nuk kanë bërë denoncim apo nuk kanë reaguar, atëhere do të jenë ata që do të mbajnë përgjegjësi e do të largohen nga detyra e tyre.

“Nëse konstatohet kjo nga qytetarët, shërbimet apo rrugë të tjera, përgjegjësia do të bjerë direkt mbi drejtuesit e policisë dhe do të largohen” paralajmëroi kryeministri.

E sa i përket atyre që kanë mbetur pa punë si rrjedhojë e mbylljes së lojërave të fatit, alternativa që është ofruar nga strukturat shtetërore është ajo e programit të punësimeve që ofrohen në zyrat e punës.