veliaj1_0
Kur Shoqata e Transportit Qytetas paralajmëroi ndërprerjen e shërbimit me 1 janar, nëse çmimi i biletës nuk do të bëhej 70 lekë, Bashkia e Tiranës u shfaq kategorike kundër.

Fillimisht kryetari i saj, Erion Veliaj e më pas nënkryetari i tij, Arbjan Mazniku, e përjashtuan me forcë mundësinë e shtrenjtimit.

Qytetarët kuptuan se Bashkia nuk do të lëshojë pe ndaj “shantazhit” të kompanive private që kanë fituar të drejtën e transportit publik në Tiranë dhe nuk do të pranojë ndyshimin e çmimit.

Aq më shumë u përforcua kjo ide kur Bashkia u tha hapur përfaqësueve të shoqatës se përpara se të kërkonin shtrenjtimin e biletës, ata duhet të ofronin standarde më të larta në shërbim.

Një javë më pas, Erion Veliaj e paraqiti në Këshillin Bashkiak propozimin për ta çuar çmimin e biletës nga 30 në 40 lekë. Këshilltarët e opozitës dhe qytetarët u zunë në befasi.

Por po të shohësh sot me kujdes deklaratat e Erion Veliajt, të publikuara një javë më parë edhe në lapsi.al, nuk është e vështirë të kuptosh se ai e ka lënë të hapur mundësinë për ta rritur çmimin. Sepse Veliaj thotë “sa të jem unë në bashki bileta nuk do të bëhet 70 lekë” dhe jo se nuk do të pranojë ndonjë rritje tjetër.

Ja si shprehej ai më 22 dhjetor: “Nuk pranoj asnjë shantazh nga shoqata e transportit. Qytetarët e Tiranës nuk janë gati për biletën me 70 lekë. Shërbimi i tyre nuk justifikon rritjen e çmimit të biletës. Sa të jem unë në bashki, bileta nuk do të bëhet 70 lekë. Tirana nuk është gati të përballojë këtë çmim. Duhet të flasim me kërkesa të arsyeshme. Kërkesa e shoqatës së transportit është absurde”.

Edhe zëvendësi i tij, Arbjan Mazniku, një ditë më pas thekson jo pa qëllim se “kryetari e bëri të qartë që bileta 70 lekë nuk bëhet”. Dhe vërtet që bileta nuk shkoi 70 lekë, por ajo u rrit me 10 lekë njëherësh.

Tani, kur vendimi është marrë me votat e të majtës në Këshillin Bashkiak, i gjithë debati duket një lojë që ngre dyshime se gjithçka ka qenë e paracaktuar.

Dyshimet janë të forta për një dakordësi paraprake mes Erion Veliajt dhe Shoqatës së Transportit Qytetas.

Përfaqësuesit e Shoqatës dolën edhe dje para Bashkisë për të përsëritur ultimatumin: rritje çmimi në 70 lekë ose s’ka transport prej 1 janarit. Sot shoqata duket e kënaqur me rritjen prej 10 lekësh. Ajo ka njoftuar një konferencë në mesditë dhe me gjasë do të shfaqë rezerva, por në “respekt” të qytetarëve do të tërhiqet nga kërcënimi për ta lënë Tiranën pa transport publik.

Pas një jave debati dhe kur çmimi biletës është rritur, pyetja që bëjnë jo pak qytetarë të Tiranës është e tillë: A ishte e gjithë kjo “luftë” një lojë e fshehtë e Veliajt në bashkëpunim me shoqatën për ta rritur çmimin e biletës?

Anëtari i Këshillit Bashkiak, Luan Bregasi, një biznesmen që i ka qëndruar afër Veliajt kur ishte Ministër i Mirëqënies Sociale, duke investuar në ngritjen e zyrave të punësimit e projekte të tjera, foli për miqësi me përfaqësuesit e shoqatës. Kryetari i saj, Ferdinand Ibrahimi, njihet gjithashtu edhe si një prej biznesmëve pranë Edi Ramës. Ai e ka përkrahur hapur Ramën në fushatat e fundit elektorale. Dhe disa nga kontratat për transportin urban i ka lidhur në kohën kur Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Edhe pse mund të duket pak në krahasim me kërkesën e shoqatës, rritja e çmimit të biletës me 10 lekë përllogaritet t’u sjellë kompanive private fitime të mëdha. Aq më tepër po të kujtosh faktin se kjo shoqatë, gati dy vjet më parë i kishte kërkuar Lulzim Bashës që ta rriste në 50 lekë biletën kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, kërkesë që u refuzua. Sipas opozitës, vetëm me rritjen prej 10 lekësh kompanitë private do të përfitojnë rreth 15 mijë dollarë më shumë në ditë, ose 5.5 milionë dollarë në vit. Këshilltarët e saj hodhën dyshime për një skemë rryshfeti, që përfshin krerët e shoqatës dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn.