Adriatik-Lllalla_1
Një ditë pasi PS në Komisionin e Ligjeve rrëzoi kërkesën e PD për hetim ndërkombëtar për CEZ, zbulohet një letër që i ka mbërritur këtij komisioni për këtë çështje nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Kreu i organit qëndror të akuzës argumenton se hetimi për CEZ duhet të bëhet vetëm nga Prokuroria shqiptare. Letra që i drejtohet kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafës, sqaron se hetimi ndërkombëtar është në kundërshtim të kushtetutës. Partia Demokratike kërkoi që parlamenti të miratonte një ligj të posaçëm për të lejuar hetimin ndërkombëtar. Por sipas Llallës, kushetuta ia njeh të drejtën e hetimit në Republikën e Shqipërisë vetëm Prokurorisë së Shtetit. Nga letra kuptohet se ka qenë kryetari i Komisionit të Ligjeve ai që i ka kërkuar mendim kryeprokurorit për çështjen. “Në përgjigje të shkresës suaj, me anë të së cilës kërkohet mendim për projektligjin “Për lejimin e hetimit të pavarur mbi akuzat publike të ngritura mbi çështjen “CEZ Shpërndarje SHA””, Prokuroria shprehet në parim kundër projektligjit të propozuar” sqarohet në letrën e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme. Duket se menjëherë pas mbërritjes së saj, PS e rrëzoi kërkesën e PD në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. LSI, edhe pse ishte shprehur pro hetimit ndërkombëtar, një ide kjo e hedhur fillimisht nga ish –kryeministri Berisha, abstenoi në votim.