meta-rama-basha_0

LSI ka bërë këtë fillim jave një propozim zyrtar për komisionin e reformës zgjedhore. Përpos disa ashpërsimeve për dënimet e atyre që vjedhin apo numërojnë votën, propozimi që ka tërhequr më shumë vëmendjen është ai i listave të hapura. Me anë të tij Ilir Meta ka bërë një lëvizje të zgjuar duke i vënë në vështirësi dy partitë e mëdha.

Duke qenë se listat e hapura prezumojnë që deputetët e parlamentit të ardhshëm të mos jenë ekskluzivitet i tekave të kryetarit, por të zgjidhen nga vetë populli (sipas parimit që partia propozon një listë me 6 deputetë në një qark ku zgjidhen 6 të tillë dhe pastaj janë votuesit se kë do të nxjerin të parin të dytin apo të tretin. Pra nuk është kryetari i partisë ai që cakton renditjen por antarësia dhe votuesit që e bëjnë këtë) ky propozim ka ngritur pikëpyetje të mëdha. A është ai një lëvizje simbolike kundër Ramës që e ka mbyllur partinë ka zhdukur zgjedhjet brenda saj dhe sillet si një padron i vërtetë me formacionin dikur liberal që udhëhiqej nga Nano?  A ka qëllim konkret apo është thjeshtë një lëvizje propagandistike për të vënë më në pah këtë të metë të Edi Ramës (lexo editorialin poshte)?

Nga ana tjetër, i njëjti propozim godet me të njëjtën forcë edhe Lulëzim Bashën. Kryetari aktual i PD-së që është ngëryhyer në një proces të hapjes së partisë, të zgjedhjes së deputetëve nga baza, që ka shpallur sloganin: “Jo parti e kryetarit” parimisht do ta kishte të pamundur ta kundërshtonte një parim të tillë. Sipas gazetarit Mero Baze propozimi i Metës ëshë një provokim ndaj Bashës. Ja se c’shkruan ai në editorialin e sotëm në gazeta Tema: “ Në vitin 2008, kur Rama bashkoi firmën me Berishën për këtë sistem, motivimi ishte pikërisht pushteti i kryetarit mbi listën. Duke qenë në krye të një partie të vjetër si kryetar i ri, Rama kishte plot dilema për të ardhmen dhe autoritetin e tij në atë parti, edhe pse ishte shumë i votuar realisht. Përfytyro tani Bashën, që nuk është as i zgjedhur, as i votuar dhe as autoritar brenda partisë. Një propozim i tillë e bën atë, shumë me më pak pushtet brenda partisë, dhe i mbeten në lojë aktorët e vjetër dhe me përvojë. Provokimi i Metës në këtë drejtim është dhe një lloj hakmarrje e tij ndaj sjelljeve të Bashës, por dhe një provë për të testuar nëse ai është i gatshëm të rrezikojë nga pushteti brenda partisë, për pushtetin e madh”.

Këto janë pa dilemat për propozimin e “listave të hapura” të bërë nga LSI. Dhe megjithëse mbetet një propozim që i jep më shumë pushtet njerëzve të thjeshtë dhe votuesve, ai ka pak gjasë të pranohet se deri më tani dy partitë e mëdha që në vitin 2008 miratuan sistemin me lista të mbyllura, nuk kanë treguar asnjë shenjë reflektimi.

Prandaj ai duket më shumë si një lëvizje e propagandistike e Metës, për të nxjerrë zbuluar PD dhe PS-në sesa një ogur i mirë që mund ti kthente sadopak pushtet qytetarëve mbi parlamentin e ardhshëm.