pako-e-dyshimte-te-21-dhjetori

Policia ka çaktivizuar një kallëp tritoli me fitil rreth 2 metra e gjysëm, në katin e parë të një pallati, pranë banesës së shtetasit A. Domi në zonën e Brrylit në Tiranë. Sinjali i parë për forcat e rendit mbëriti nga një banor që ka dyshuar për pakon e vendosur pranë pallatit. Menjëherë pas alarmit, forcat xheniere kanë izoluar zonën dhe kanë çaktivizuar lëndën plasëse. Në këtë mënyrë është shmangur një shpërthim që mund të kishte pasoja për banorët përreth. Burime të policisë bënë me dije se vendosja e tritolit me fitilin e pandezur konsiderohet vetëm si paralajmërim për personin që i është adresuar. Shenjestra dyshohet të jetë pronari i dyqanit ku shiten kompjutera. Burime të policisë i thanë lapsi.al se ai nuk gjendet për momentin në Shqipëri.

Dy netë më parë, pranë stadiumit Selman Stërmasi në Tiranë, një makinë shpërtheu me eksploziv duke plagosur pronarin e saj. Për rastin e paradites së sotme tek zonë e Brrylit, policia pritet të japë më vonë informacione më të detajuara.